Pas shkarkimit të Massimiliano Allegri, Milani është në kërkim të një trajneri të ri për sezonin e ardhshëm. Një nga figurat kryesore që pritet të merret me këtë proces është Zlatan Ibrahimovic, i cili aktualisht vepron si këshilltar i pronarit Gerry Cardinale.

Pas një sezoni zhgënjyes 2025/26, ku Milani përfundoi në vendin e pestë dhe humbi kualifikimin në Ligën e Kampionëve për të dytin vit radhazi, drejtuesit e klubit vendosën për një revolucion të madh në strukturë. Përveç Allegrit, u larguan edhe CEO Giorgio Furlani, drejtori sportiv Igli Tare dhe drejtori teknik Geoffrey Moncada.


Megjithatë, Ibrahimovic ka mbetur pjesë e projektit dhe tashmë po punon për zgjedhjen e trajnerit të ri. Sipas mediave italiane, lista e kandidatëve është e gjatë, ndërsa “Gazzetta dello Sport” ka zbuluar katër emrat kryesorë.

Favoriti i parë raportohet të jetë Xavi Hernández. Ish-trajneri i Barcelonës është pa klub që nga largimi nga gjiganti katalanas dhe thuhet se gëzon mbështetjen e plotë të Ibrahimovicit, me të cilin ka qenë shok skuadre në Barcelonë.

Një tjetër emër shumë i përfolur është Andoni Iraola. Basku ka bërë punë të shkëlqyer me Bournemouth, duke e çuar skuadrën në vendin e gjashtë në Ligën Premier, dhe konsiderohet një nga trajnerët më të kërkuar në treg.

Në listën e Milanit ndodhet edhe Oliver Glasner, i cili së fundmi u largua nga Crystal Palace. Austriaku ka fituar vlerësime për punën e tij te Crystal Palace dhe më parë te Eintracht Frankfurt.

Kandidati i katërt është Mauricio Pochettino. Argjentinasi aktualisht drejton kombëtaren e SHBA-s, por raportet sugjerojnë se ai mund të largohet pas Kupës së Botës.

Sipas mediave italiane, Ibrahimovic pritet të takohet me të gjatë verës në SHBA për të diskutuar mundësinë e marrjes së drejtimit të Milanit. /Telegrafi/

telegrafi sport app