Mikel Arteta ka treguar momentin që e bindi se Arsenali do të shpallej kampion i Ligës Prmier, pas një gare të tensionuar dhe të vështirë për titull me Manchester Cityn.

“Topçinjtë” u kurorëzuan kampionë për herë të parë që nga viti 2004 më herët gjatë kësaj jave, duke i dhënë fund pritjes 22-vjeçare. Arteta, i cili më parë e kishte çuar Arsenalin në tri sezone radhazi në vendin e dytë, më në fund arriti ta sjellë trofeun e kampionatit në “Emirates”.


Barazimi i Manchester Cityt me Bournemouth të martën mbrëma e bëri të panevojshme një fundjavë të fundit me nerva, por Arteta thotë se për rreth një muaj ai ka qenë i bindur se skuadra e tij do ta “mbyllte punën”.

Humbja që i dhimbste, por ia rriti besimin

Arsenali pësoi një humbje të dhimbshme ndaj skuadrës së Pep Guardiolës në prill, megjithatë Arteta zbuloi se pikërisht ajo ndeshje i forcoi bindjen se titulli do të shkonte në Londër.

I pyetur nëse kishte momente që e bënë të besonte se Arsenali do të fitonte kampionatin, Arteta tha për beIN SPORTS:

“Momenti i parë, ndoshta, erdhi kur u mblodhëm të gjithë në parasezon, një javë para se të luanim me Manchester Unitedin.

I mblodha të gjithë lojtarët dhe i pyeta se çfarë ishin të gatshëm të bënin për ekipin. Ata ishin të gatshëm të bënin gjithçka për ekipin dhe unë e kuptova se kishim një shans të madh të konkurronim në çdo garë, sepse kishim thellësi dhe cilësi për të sfiduar”.

Arteta theksoi se reagimi i lojtarëve nuk ishte vetëm “fjalë në takim”, por u pa gjatë gjithë sezonit:

“Përgjigjja e tyre ishte e menjëhershme dhe e jashtëzakonshme – dhe nuk ishin vetëm fjalë. Është e lehtë ta thuash në një takim, por pastaj duhet ta prodhosh për dhjetë muaj.

Djemtë meritojnë shumë merita sepse e kanë bërë në mënyrë të jashtëzakonshme”.

“Kur humbëm në ‘Etihad’, atë ditë mendova: do ta fitojmë titullin”.

Arteta zbuloi edhe momentin e dytë vendimtar – humbjen në fushën e Manchester Cityt:

“Momenti i dytë është kur humbëm te Manchester City. Atë ditë mendova: ‘ne do ta fitojmë’.

“I pashë lojtarët në dhomën e zhveshjes dhe doja të shihja reagimin e tyre para se të thosha ndonjë gjë”.

“E kuptova që ishin shumë të lënduar, por e kishin kuptuar se ne mund t’i mposhtim ata dhe mund të jemi më të mirë se ata”.

Sipas tij, pas asaj ndeshjeje gjithçka u kthye në fokus dhe reagimi ishte i menjëhershëm.

“Ishte në duart tona dhe ne duhej të bënim atë që duhej. Pas kësaj u përqendruam te ajo që na duhej për t’u bërë kampionë dhe reagimi ishte i menjëhershëm”.

“Nga ai moment e kuptova se do të shkonim shumë afër fitimit. Një nga ndjenjat më të mira që kam përjetuar”.

Duke folur për çastin kur Arsenali u shpall kampion, Arteta e përshkroi atë si një nga ndjenjat më të forta të jetës së tij:

“Është një nga ndjenjat më të mira që kam pasur ndonjëherë. Duhej të isha këtu, në Sobha, duke e parë ndeshjen me djemtë dhe stafin, sepse kështu donin, por nuk munda. Mendoj se rreth 20 minuta para ndeshjes u desh të largohesha”.

“Nuk mund ta sillja energjinë që doja dhe mendoj se ishte momenti që ata ta shikonin bashkë, të ishin vetvetja dhe thjesht të shihnin se cili do të ishte rezultati”./Telegrafi/

telegrafi sport app