Meta përballet me gjyq në New Mexico që mund të detyrojë ndryshime të mëdha në Facebook dhe platforma të tjera

Një gjyq që nis në New Mexico mund të detyrojë gjigantin Meta Platforms të bëjë ndryshime të mëdha në funksionimin e Facebook, Instagram dhe WhatsApp – madje kompania paralajmëron se mund të largohet nga shteti.
Padia është ngritur nga prokurori i përgjithshëm Raúl Torrez, i cili akuzon Meta-n se i ka dizajnuar platformat për të krijuar varësi tek të rinjtë dhe nuk i ka mbrojtur ata nga shfrytëzimi seksual.
Thelbi i gjyqit është nëse këto platforma përbëjnë një “dëmtim publik” (public nuisance).
Nëse gjykatësi Bryan Biedscheid vendos kështu, mund të urdhërojë ndryshime të thella në mënyrën si funksionojnë këto rrjete për përdoruesit në New Mexico.
Në një fazë të mëparshme, një juri vendosi se Meta kishte shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorit duke paraqitur si të sigurta platformat për të rinjtë dhe e dënoi me 375 milionë dollarë.
Autoritetet kërkojnë:
- verifikim të moshës së përdoruesve
- ndryshime në algoritme për përmbajtje më cilësore për të mitur
- ndalimin e autoplay dhe scroll-it të pafund për të rinjtë
Gjithashtu, shteti mund të kërkojë deri në 3.7 miliardë dollarë për një plan 15-vjeçar të shëndetit mendor.
Nga ana tjetër, Meta thotë se:
- ka marrë tashmë masa për sigurinë
- nuk ka prova shkencore që rrjetet sociale shkaktojnë probleme mendore
- disa kërkesa janë “të pamundura teknikisht”
Ky rast po ndiqet nga afër, sepse mund të ndikojë edhe në qindra procese të ngjashme në SHBA kundër kompanive të rrjeteve sociale. /Telegrafi/
















































