Messi shtyn vendimin për pensionimin, e ardhmja me Argjentinën mbetet e paqartë

E ardhmja e Lionel Messit me Kombëtaren e Argjentinës vazhdon të jetë e paqartë pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës, pas vazhdimeve, në finalen e Kupës së Botës 2026.
Sipas raportimeve të TyC Sports, kapiteni argjentinas nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar nëse do të vazhdojë të përfaqësojë "Albicelestët" apo do t'i japë fund karrierës së tij ndërkombëtare.

Burimet pranë lojtarit bëjnë të ditur se 39-vjeçari hyri në këtë Botëror pa një plan të qartë për tërheqjen nga kombëtarja dhe, para turneut, nuk u kishte komunikuar njerëzve të afërt se finalja do të ishte paraqitja e tij e fundit me fanellën e Argjentinës.
Për këtë arsye, në Argjentinë konsiderohet pak e mundshme që sfida ndaj Spanjës të ketë qenë ndeshja e fundit e një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori.
Vendimi i tij pritet të merret në muajt në vijim, pasi Messi të reflektojë mbi të ardhmen dhe objektivat e tij.
Pavarësisht zhgënjimit në finale, Messi zhvilloi një tjetër turne të jashtëzakonshëm.

Ai realizoi tetë gola në tetë ndeshje, duke qenë lideri absolut i Argjentinës dhe një nga futbollistët më të spikatur të Kupës së Botës 2026.
Nëse vendos të vazhdojë, mbetet për t'u parë nëse Messi do të jetë pjesë e kualifikueseve dhe kompeticioneve të ardhshme me Argjentinën.
Ndërkohë, tifozët argjentinas shpresojnë që legjenda e tyre të mos e ketë thënë ende fjalën e fundit në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/










































