eksperti ad

Argjentina nuk arriti ta mbyllë ndeshjen brenda 90 minutave ndaj Kepit të Gjelbër, pasi dueli përfundoi 1-1 në kohën e rregullt dhe tashmë do të vazhdojë me kohët shtesë.

Kampionët e botës e nisën ndeshjen me iniciativë dhe krijuan disa raste të mira, me Lionel Messin protagonist kryesor. Kapiteni argjentinas fillimisht provoi nga goditja e lirë, ndërsa më pas humbi një mundësi të mirë brenda zonës.


Megjithatë, Messi nuk gaboi në minutën e 29-të. Pas një pasimi të shkëlqyer të Lisandro Martinezit, ylli i Argjentinës u gjend i lirë në zonë dhe goditi fuqishëm drejt çatisë së portës për epërsinë 1-0.

Kepi i Gjelbër reagoi në pjesën e dytë dhe filloi të krijojë më shumë rrezik. Deroy Duarte paralajmëroi fillimisht me një goditje të fortë, të cilën Emiliano Martinez e ndali me një pritje të madhe.

Në minutën e 59-të, skuadra afrikane arriti barazimin. Ryan Mendes shërbeu për Deroy Duarte, i cili brenda zonës goditi saktë në këndin e poshtëm të portës për rezultatin 1-1.

Argjentina kërkoi golin e fitores deri në fund. Messi pati dy raste të tjera të mira, përfshirë një goditje dënimi që u ndal nga Vozinha dhe një rast të pastër brenda zonës, por portieri i Kepit të Gjelbër ishte në nivel të lartë.

Edhe Enzo Fernandez, Alexis Mac Allister dhe Leandro Paredes provuan në minutat e fundit, por pa arritur të mposhtnin Vozinhan.

Pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt, Argjentina dhe Kepi i Gjelbër do të kërkojnë kualifikimin në vazhdime. /Telegrafi/

telegrafi sport app