Mes lotëve pas eliminimit, Ronaldo i dha zemër yllit kroat me një mesazh të veçantë


Eliminimi dramatik i Kroacisë nga Kupa e Botës ka lënë pasoja të mëdha emocionale te futbollistët kroatë. Njëri prej tyre ishte Petar Sucic, i cili nuk arriti t'i përmbante lotët pas humbjes ndaj Portugalisë.
Mesfushori kroat u pa dukshëm i mërzitur në përfundim të takimit, ndërsa një nga momentet më prekëse erdhi kur Cristiano Ronaldo iu afrua për ta ngushëlluar.
Duke folur pas ndeshjes, Sucic pranoi se zhgënjimi ishte i madh, pasi beson se Kroacia meritonte shumë më tepër nga kjo sfidë.
“Ishte ndeshje shumë e mirë, por që për fat të keq nuk përfundoi mirë. Nuk di çka të them, ndihem i zbrazët. Por jam krenar me ekipin, sidomos për pjesën e dytë. Kemi merituar më shumë, të paktën vazhdimet”, u shpreh ai.
Mesfushori nuk e fshehu pakënaqësinë edhe për vendimet e gjyqtarëve, duke theksuar se disa momente kyçe shkuan në dëm të Kroacisë.
“Na janë anuluar tri gola, vërtet do të doja që dikush të na sqaronte në ato situata dhe për çka u morën ato vendime. Kishte shumë situata diskutabile që shkuan kundër nesh”, shtoi Sucic.

Pavarësisht dhimbjes së eliminimit, 21-vjeçari mori mbështetje nga një prej emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit.
Cristiano Ronaldo iu afrua menjëherë pas ndeshjes dhe i dha disa fjalë inkurajuese, të cilat Sucic i zbuloi më vonë.
“Isha i tronditur, ndërsa më tha që ky është futbolli. Më tha që në futboll ka momente dhe situata të vështira, por se jam i shkëlqyer, që të vazhdoj para dhe që në të ardhmen do të jetë më mirë”, rrëfeu Sucic./Telegrafi/















































