LAJMI I FUNDIT:

Mes jetës dhe vetëshkatërrimit

Mes jetës dhe vetëshkatërrimit
AA384206 cucina 452 297 300 5334 3508 RGB

“Në ka ndonjë ndjesi të përhershme që ndjek punën e përkthyesit, ai është dyshimi, e sidomos kur vjen çështja te një poet si Giuseppe Ungaretti, themeluesi i rrymës së hermetizmit, i dhënë pas zbulimit dhe përdorimit të fjalës si një entitet me valencë të mëvetësishme, ky dyshim të gërryen jo vetëm gjatë përkthimit, por edhe shumë më pas”.

Ky është shqetësimi që ka shoqëruar përkthyesen Aida Baro gjatë gjithë procesit të përkthimit në gjuhën shqipe të vëllimit poetik “Ndjenja e kohës”, e poetit italian Giuseppe Ungaretti, i cili tashmë është në duart e lexuesit nga shtëpia botuese “Pegi”.


Përballë një autori si Ungaretti, që tenton të hulumtojë në honet më të thella të shpirtit njerëzor, dhe një vepre të shkruar thuajse një shekull më parë, çdo përkthyes do të ndihej i turbulluar, deri diku i stepur, por për Baron sjellja në shqip e tij ishte një sfidë, ku pas çdo vështirësie zbulohej kënaqësia e zbulimit.

“E rëndë i është barra e jetës / Si për atë milingonën atje në dhe / Që branë heq flatrën e bletës së vdekur”, shkruan Ungaretti në poezinë “Lutja”.

“…Për mua nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë njohja nga afër me poetin, sepse gjuha e tij e lartë, simbolika dhe zbulimi i saj, e shndritshmja që del në pah, duke rrëmuar në të errëtën e tij, është si puna që duhet bërë për të pastruar e gdhendur faqet e diamantit”, shprehet Baro në parathënien e vëllimit poetik, në qendër të të cilit është njeriu me dilemat e tij të mëdha, me zgjedhjet që në kohën e Abelit dhe Kainit, mes dashurisë dhe urrejtjes, mes jetës dhe vdekjes.

“O bari ujqish / Me dhëmbët dritë vetëtimtare / që shkon tej për tej ditët tona”, shkruan poeti te “Kaini”, teksa na paralajmëron se mallkimi mbi Kainin, që vrau të vëllanë, na ndjek të gjithëve në rrjedhën e kohëve.

E sa më thellë futej në këtë botë “hermetike” ungaretiane, aq më tepër përkthyesja pyeste veten nëse do t’ia dilte.

“Më shumë se një herë kam ndier druajtjen e natyrshme në do të mundem ta shpie deri në fund këtë projekt të madh dhe me peshë të jashtëzakonshme, por tashmë më duhet ta mbyll këtë dorë të artë, do ta quaja, me shpresën për t’iu rikthyer, ashtu si dhe Ungaretti rishkrimit të poezive, në një moment më të pjekur profesionalisht”, përfundon Baro.

“Ndjenja e kohës”, vëllimi i dytë me poezi i Giuseppe Ungarettit, botuar për herë të parë në vitin 1933 dhe më pas i pasuruar e ribotuar më 1936 dhe 1942, është një ndër arritjet më të larta të tij. /Panorama/