“Pronarët” e Real Madridit: Futbollistët madrilen që po investojnë në klube të tjera

Real Madridi është prej kohësh më shumë sesa thjesht një klub futbolli. Me një buxhet gjigant prej 1.248 miliardë eurosh këtë sezon dhe i renditur nga “Forbes” si klubi më i vlefshëm në botë, ai funksionon si një makinë transnacionale që i kapërcen kufijtë e sportit. Nën këtë ndikim, edhe disa nga yjet e tij po hyjnë në një dimension tjetër: atë të investimeve dhe pronësisë sportive.
Paradoksi është i qartë, në një klub që historikisht nuk ka “pronarë”, disa prej futbollistëve të tij janë bërë pronarë ose bashkëpronarë klubesh diku tjetër.
Kylian Mbappe, Vinicius Jr. dhe Thibaut Courtois tashmë kanë investime në futboll, ndërsa këtë javë edhe Jude Bellingham i është bashkuar këtij trendi, duke blerë aksione në një klub profesionist kriketi.
Mbappe dhe Bellingham: mes sentimentit dhe biznesit
Mbappe është shembulli më i komentuar. Në vitin 2024 ai tentoi të blinte aksione te Monaco, por më pas e ridrejtoi projektin te Caen, klubi ku kishte bërë provë si fëmijë.
Sipas mediave franceze, ai bleu rreth 80% të aksioneve përmes kompanisë së tij “holding” Interconnected Ventures, për një shumë të vlerësuar mes 15 dhe 20 milionë eurosh. Megjithatë, investimi është shoqëruar me kritika dhe rezultate të dobëta sportive: tifozët reaguan ashpër, ndërsa ekipi ra në ligën e tretë dhe aktualisht nuk ka shanse për t’u kthyer shpejt në kategori.
Bellingham, ndërkohë, zgjodhi një tjetër rrugë, duke investuar në Birmingham Phoenix, klub profesionist kriketi në qytetin e tij të lindjes. Ai e përshkroi si një kthim ndaj komunitetit (“Ndjeva se i detyrohesha diçka qytetit”), por projekti shihet edhe si mundësi fitimi: investimi i tij prej rreth 1 milion eurosh përfaqëson pak më pak se 2% të klubit dhe vlerësimet flasin për rritje të madhe të vlerës në vitet e ardhshme.
Courtois dhe Vinícius: Investime të drejtpërdrejta me synim rritjen e vlerës
Te Courtois dhe Vinicius, qasja është më shumë financiare sesa emocionale. Portieri belg është bërë investitor te klubi francez Le Mans, duke kontribuar afro 1 milion euro përmes platformës së tij NxtPlay Capital, me pritjet që vlera e investimit të rritet ndjeshëm nëse klubi ngjitet në Ligue 1.
Le Mans aktualisht është në vendin e dytë në Ligue 2, në zonën e ngjitjes direkte.
Vinícius, nga ana tjetër, ka udhëhequr një grup investitorësh që bleu 80% të Alvercas në Portugali për rreth 10 milionë euro. Qëllimi është rritja e vlerës së klubit dhe krijimi i një “ure” për ta lehtësuar kalimin e lojtarëve brazilianë drejt futbollit evropian.

Trendi global: nga Beckham te superyjet e sotëm
Kjo valë investimesh lidhet shpesh me shembullin e David Beckham, i cili nisi të mendonte si pronar që sa ishte ende lojtar dhe më pas ndërtoi Inter Miamin, me klubin që sot raportohet të ketë vlerë mbi 1.35 miliardë dollarë.
Pas tij, shembujt janë shtuar, Modric u bë aksionar te Swansea, ndërsa raste të tjera si ato të Ronaldos Nazário apo Zlatan Ibrahimovicit treguan se investimet në klube nuk janë gjithmonë të suksesshme dhe shpesh sjellin edhe polemika.

Në fund, mes fushës dhe sallës së bordit, yjet e Real Madridit – dhe jo vetëm – po e përshpejtojnë një realitet të ri: futbollisti modern nuk mendon vetëm për karrierën, por edhe për tregun dhe biznesin. /Telegrafi/





















































