Mërgim Pefqeli drejt largimit nga Dukagjini, ka oferta nga Kosova dhe Shqipëria


E ardhmja e Mërgim Pefqelit te Dukagjini mbetet e paqartë, ndërsa gjithçka tregon se mesfushori ofensiv është pranë mbylljes së aventurës së tij me klubin nga Klina.
Siç mëson Telegrafi, kontrata e 24-vjeçarit skadon më 30 qershor të këtij viti dhe gjasat për vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve aktualisht duken të vogla.
Pefqeli iu bashkua Dukagjinit dy vite më parë dhe gjatë kësaj periudhe ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke dhënë kontribut të madh me paraqitjet e tij.
Sipas informacioneve të Telegrafit, futbollisti tashmë ka zgjuar interesimin e disa klubeve.

Deri më tani ai ka pranuar dy oferta nga skuadra të Superligës së Kosovës dhe një tjetër nga Superliga e Shqipërisë, ndërsa pritet që në javët e ardhshme të marrë vendimin për të ardhmen e tij.
Pas një sezoni të suksesshëm, interesimi për shërbimet e tij nuk mungon. Në edicionin e fundit, Pefqeli zhvilloi 36 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar pesë gola dhe gjashtë asistime.
Një nga momentet kulmore të periudhës së tij te Dukagjini ishte triumfi në Kupën e Kosovës, trofe që klubi e fitoi pas një sezoni historik.
Tashmë mbetet të shihet se ku do ta vazhdojë karrierën Mërgim Pefqeli, me opsionet që aktualisht vijnë nga elita e futbollit kosovar dhe ajo shqiptar./Telegrafi/




































