LAJMI I FUNDIT:

Mënyra më e mirë për ta nisur sezonin, Unitedi triumfon me goleadë ndaj Leeds

Mënyra më e mirë për ta nisur sezonin, Unitedi triumfon me goleadë ndaj Leeds
(Foto: Twitter/Manchester United)

Manchester Unitedi e ka nisur në mënyrë të mrekullueshme sezonin 2021/2022 në Ligën Premier duke triumfuar përballë Leeds United me rezultat 5-1.

Në sfidën e zhvilluar në Old Trafford, vetëm një gol u shënua në pjesën e parë. Rezultati u zhbllokua në minutën e 31-të të lojës kur Bruno Fernandes u bë golashënuesi i parë i Unitedit për sezonin e ri.


Megjithatë, Paul Pogba ishte arkitekt i këtij goli. Mesfushori francez dhuroi një asistim të mrekullueshëm drejt bashkëlojtarit duke e nxjerrë përballë portierit dhe portugezi me vole e kaloi skuadrën e tij në epërsi.

(Foto: Twitter/Manchester United)

Me të filluar pjesa e dytë (48’), Luke Ayling i barazoi shifrat me një gol të bukur të realizuar nga largësia.

Porse aty ishte Pogba për të nisur një superasistim drejt Mason Greenwood, i cili vazhdoi përpara dhe riktheu epërsinë e Djajve të Kuq (52’).

I menjëhershëm ishte reagimi i radhës nga mesfushori francez, i cili asistoi te Bruno Fernandes. Portugezi e ndali topin me një lëvizje të mrekullishme dhe e shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën (54’).

(Foto: Twitter/Manchester United)

Fernandes vazhdoi të ishte i jashtëzakonshëm duke e kompletuar het-trikun pas një asistimi këtë herë nga Victor Nilsson Lindeloef (60’).

Pogba nuk u ndal me asistimet. E dhuroi edhe të katërtin për Fred dhe ai ishte i saktë (68’) duke shënuar për rezultatin (5-1).

Tri pikë më se të merituara nga Manchester Unitedi në ndeshjen e parë sezonale që premton të bëjë një edicion të mirë dhe konkurrues me rivalët për titull. /Telegrafi/

https://twitter.com/Dre6ii/status/1426515746729959426

https://twitter.com/UnitedBrasil_/status/1426524612041625607