LAJMI I FUNDIT:

Mediat serbe: Pacollit nuk i lejohet ta vizitojë Novi Pazarin

Mediat serbe: Pacollit nuk i lejohet ta vizitojë Novi Pazarin

Mediat serbe raportojnë se Beogradi zyrtar ia ka refuzuar kërkesën, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet  Pacollit, që të shtunën dhe të dielën (21 dhe 22 korrik) të vizitojë Novi Pazarin. 

Siç raporton televizioni shtetëror serb, RTS, kërkesa e zv/kryeministrit Pacolli është refuzuar nga autoritetet serbe duke u thirrur në kornizën ligjore të UNMIK-ut.


“Sipas kornizës së përkohshme ligjore të  UNMIK-ut, Kosova nuk ka Ministri të Punëve të Jashtme, prandaj marrëveshja për vizitat nga zyrtarët nuk zbatohet në rastin e zv.kryeministrit Pacolli”, raporton RTS, përcjell Telegrafi.

Sipas këtij mediumi, Behgjet Pacolli ka thënë të enjten se kishte kërkuar leje nga Beogradin që më 21 dhe 22 korrik të kryejë një vizitë zyrtare në Novi Pazar dhe Sanxhak, duke thënë se në qoftë se nuk i jepet leja nuk do të shkojë nëpër rrugët malore siç kishte bërë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për të hyrë në Kosovë.

Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve e ka ftuar Behgjet Pacollin të vizitojë Novi Pazarin dhe Rashkën gjatë kësaj fundjave në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës.

“I nderuari zoti Pacolli, propozojmë që termini i vizitës suaj të jetë 21 dhe 22 korriku 2018. Me pranimin e kësaj ftese dhe ardhjen tuaj do t’i bëni nder të madh Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve, boshnjakëve dhe gjithë qytetarëve të Sanxhakut”, thuhet në letër.

Nga Ministria e Punëve të Jashtm e Kosovës ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar rreth kësak vizite.

Ndryshe, arsyetimi i refuzimit të kërkesës së Pacollit për vizitë në Novi Pazar, duke u thirrur në kornizën ligjore të UNMIK-ut është absurd, sepse autoritetet e Beogradit vazhdimisht bashkëpunojnë me të gjitha ministritë e Republikës së Kosovës dhe ndërkohë në Beograd është edhe zyra ndërlidhëse e Kosovës, e cila është pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme. /Telegrafi/