Ngjarjet dhe zhvillimet në politikën kosovare, jo që kanë shkuar mbrapsht vetëm me qeverisje të brendshme, si lokale ashtu edhe qendrore, po për fat të keq politika e jashtme, e sidomos ajo me shtetin fqinjë të Serbisë, ka dështuar totalisht.

Bisedimet e filluara, që parimisht nuk cilësoheshin si politike por vetëm si bisedime teknike, tashmë vetëm se është kuptuar se janë strikto senso politike. Madje, qëllimi kryesor i këtyre bisedimeve është fuqizimi i pakicës serbe në Kosovë. Kjo e fundit nuk do të thotë diçka tjetër pos rritjes së ndikimit dhe legalizimit të një mjeti të kontrollit për shtetin serb brenda Kosovës.


Situata e krijuar nga pakënaqësia dhe keqtrajtimi i popullit shqiptar, që shpërtheu në luftën e ‘99-tës, rezultoi me ndarje të Kosovës nga Serbia, e më pas me shpallje të pavarësisë. Ajo çfarë është duke ndodhur tani në veriun e Kosovës, është një situatë ku për shumë aspekte mund të bëjnë një analogji rreth qëllimeve për atë pjesë të Kosovës dhe rezultatet mund të jenë pak a shumë të pritshme.

Shtet konsiderohet një hapësirë e caktuar me kufijtë e saj, grupin e caktuar të njerëzve apo popullsinë si dhe struktura organizative e funksionale. Fillimisht thuhej se bisedimet me Serbinë nuk do të rezultojnë në ndarjen e Mitrovicës në dy pjesë. Pikërisht kjo ndodhi: tani kemi Mitrovicën e Jugut dhe Veriun e Kosovës. Pjesa veriore e vendit madje nuk identifikohet si pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, por vetëm me fjalën “veri”. Kjo nënkupton që elementi i parë i të qënit shtet, pra territori i caktuar dhe grupi i caktuar i njerëzve me përkatësi etnike dhe kombëtare, vetëm se është plotësuar.

Ajo çka mund të konsiderojmë se mungon, por që është në formim e sipër, janë strukturat funksionale shtetërore të kësaj pjese. Tani që subjekti politik, ose më mirë thënë marioneta politike e Beogradit ka fituar, në nëntë komuna të Kosovës kanë deklaruar për mosnjohjen e institucioneve kosovare dhe shtetësisë së saj. Kjo mund të shihet një parapërgatitje për ndarje edhe më të mëdha brenda Kosovës.

Deklaratat që dalin nga krerët politikë kosovarë se asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, është një çështje për të cilën do të bisedohet në Bruksel, e çështjet e biseduara në Bruksel, nga ajo çka kemi parë deri më tash, nuk mund të kenë rezultat pozitiv për vendin tonë. Pra, unë besoj fuqishëm që Asociacioni i komunave serbe në veri do të ketë edhe kompetenca shtesë, pos atyre që janë të parapara me ligj dhe me pakon e Ahtisarit.

Të gjitha elementet e lartpërmendura nuk janë asgjë tjetër vetëm se një fazë përgatitore që pas një kohe të caktuar, veriu - që nga ana gjeografike vetëm se është afër Serbisë - me anë të ndonjë referendumi (që parimisht me Kushtetutë është i ndaluar për çështje vitale të shtetit, po për serbët e kësaj pjese mund edhe të lejohet me ndonjë dokument që do të rregullojë funksionimin e asaj pjese) do të paraqiste legalizimin e autonomisë apo të shtetit brenda shtetit të Kosovës.

Krijimi i selisë së Gjykatës së Apelit në veri, jo vetëm që paraqet shkelje të ligjit për gjykatat, por edhe njërin nga elementet që i duhen asaj pjese për të funksionuar tamam si shtet. Legalizimi i strukturave paralele që janë përgjegjëse për krimet e ndodhura atje, e për vrasjen e shqiptarëve, është çështja tjetër që siguron pushtet të Serbisë brenda pushtetit të shqiptarëve brenda Kosovës.

Përfaqësuesi serb në bisedimet mes e Serbisë me Kosovën (jo mes po vetëm me) është deklaruar edhe për nevojën e krijimit të Gjykatës Themelore në veri e që përbërja e saj (sikur edhe e institucioneve tjera) do të reflektonte përbërjen etnike të popullsisë.

E kështu, veriu, për një kohë që nuk mund të quhet as evoluim e as revolucion, po i ndërton funksionet e nevojshme, institucionet e saja në mënyrë që ndarja e asaj pjese prej Kosovës të mos pengohet nga ndonjë barrierë e mundshme për mungesa të organeve që do të pamundësonin funksionimin e saj.

Ajo çka në të vërtetë duhet të jetë dhe është shqetësuese është fakti që nga vet “përfaqësuesit” e popullit të Kosovës, është pranuar një dokument (Plani i Ahtisarit) i cili ua jep këto të drejta pakicave në Kosovës, e i cili po ashtu është mbi Kushtetutën e Kosovës e subordinon atë (neni 143, paragrafi i 3-të legjitimon këto veprime).

Ajo çfarë është dashur të parandalojmë është pikërisht krijimi i një strukture të këtillë serbe që do të punonte për shtetin serb brenda Kosovës, edhe pse parandalimi i plotë i tyre do të ishte i vështirë, por nuk do të duhej të bëhej edhe legjitimimi i tyre si dhe dhënia e mundësisë që ato struktura të dalin edhe publikisht me deklarata që ato nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Serbia po bën plagjiaturë të punës së tyre, tashmë të botuar, jetësuar dhe realizuar në Bosnje e Hercegovinë. Kjo që është duke ngjarë do të fuqizojë rolin e Serbisë në Kosovë, do të mundësojë zgjerimin e saj territorial, ndoshta jo edhe ne aspektin formal apo zyrtar (edhe pse as kjo mundësi nuk duhet hedhur poshtë), por këto territore do të jenë gjithmonë në shërbim të shtetit serb edhe pse do të jenë në territorin e shtetit të Kosovës.

Andaj, krejt për fund, ne si popull duhet të hapim sytë mirë e të dëgjojmë thirrje te personave e subjekteve të caktuara që paralajmërojnë procese të tilla. Duhet që të zgjohemi sa më herët, në mënyrë që të mos jetë vonë, e që zgjimin e vonshëm më pas ta përcjellë ndonjë punë, proces e madje edhe diçka më e madhe si konflikti i armatosur.

Ka ardhur koha për subjekte politike që nuk janë të zhytura në krim të organizuar e në afera tjera me të cilat edhe po shantazhohen e po detyrohen të pranojnë dokumente e marrëveshje që po gjymtojnë shtetësinë dhe po e rrezikojnë qenien e shtetit të Kosovës, të marrin lidershipin e të shpijnë vendin tonë drejt një të ardhme që nuk mund të jetë ndryshe pos me shtetin shqiptar të Shqipërisë, me atë territor të cilit i përkasim edhe ne.