Besa nuk po u ndahet fitoreve, të cilat tashmë e kanë ofruar vetëm në një pikë larg liderit të Superligës, Feronikelit.

Dhe, merita të mëdha në këtë ecuri perfekte të pejanëve ka edhe portieri i tyre, Valmir Bytyqi, të cilin për ta mposhtur nuk po gjendet asnjë formulë. Janë bërë rrafsh 400 minuta, të cilat portieri i njohur kosovar i ka kaluar pa pësuar gol.


“Deri më tani janë bërë 400 minuta që nuk kam pësuar, por të kujtoj se e mbaj një tjetër rekord personal nga edicioni 2005/06, në të cilin nuk pata pranuar gol për 690 minuta. Sigurisht se me dëshirë do ta thyeja këtë rekord, por ky nuk është fokusi im kryesor.

Ecuria e mirë e Besës është prioritet i imi”, tha për “Zërin” Bytyqi, i cili për këto 400 minuta pa pësuar gol i falënderon shokët e tij të ekipit për ndihmën, veçmas vëllezërit Papuqi.

Edhe pse po kalon nëpër një formë të mirë, Bytyqi nuk e sheh vetën të sigurt nga formacionin kryesor, pasi e di që në ekip e ka portierin tjetër konkurrues, Flamur Nezirin. “Me flamurin kam raporte të mira kolegiale. Derisa u riktheva unë nga suspendimi, ai e shfrytëzoi shumë mirë rastin. Kurse, pasi u ndëshkua Flamuri me karton të kuq, më erdhi shansi mua të tregohem dhe ja që deri më tani nuk kam pësuar. Kështu e ka futbolli, por kjo më së shumti i konvenon ekipit”, u shpreh 33-vjeçari, të cilit ende nuk iu është kthyer shiriti i kapitenit, për çka as nuk ka marrë e as nuk ka kërkuar sqarime nga klubi.

Besa e Valmir Bytyqit aktualisht e ka një pikë më pak sesa lideri Feronikeli dhe dy më tepër sesa Prishtina.

Pavarësisht konkurrencës së fortë, portieri pejan beson se skuadra e tij mund të triumfojë.

“Për nga cilësia, konkurrentë të fortë i shoh sikurse Feronikelin, ashtu edhe Prishtinën. Por, tradita e bën Prishtinën më konkurruese. Po ashtu kanë sjellë trajner të ri, i cili mund të ndikojë pozitivisht për atë ekip. Ndeshjet tona të ndërsjella do të vendosin. Por, ne në çdo ndeshje hyjmë për fitore dhe besoj se mund të triumfojmë”, deklaroi Bytyqi për "Zëri".

telegrafi sport app