Mbeturinat inerte në Prishtinë, rreth 40 gjoba të shqiptuara

Komuna e Prishtinës tash e tri javë po shqipton gjoba për qytetarët që po hedhin mbeturina inerte dhe vëllimore në kryeqytet. Vlera e gjobave është nga 200 deri në 800 euro, e tashmë janë dhjetëra të shqiptuara. Por, kryeshefi i ndërmarrjes “Pastrimi”, ka dyshime për hedhjen e tyre në qendër të qytetit.
Ndonëse si destinacion është i ndaluar për hedhje të mbeturinave, përshtypje s’po iu bën.
Si ky qytetar gjatë javës u identifikuan dhjetëra raste tilla që hodhën mbeturina inerte nëpër kryeqytet.
Ani pse për këto kryetari Rama ka caktuar një lokacion në rrugën “Qendresa”, qendra e qytetit mbeti prapë zgjidhje për disa.
Më shumë për planin e Komunës dhe për masat që po ndërmerren, foli Alban Ymeri, shef i rendit komunal.
“Tash është java e tretë rresht që ne jemi me plan të inspektimit të veçant me gjithsej pesë ekipe në terren ku jemi duke inspektu edhe nëpër fshatra dhe jemi duke marr masa sanksionuese për të gjithë ata që po hudhin mbeturina inerte apo çfarëdo lloji tjetër”, ka deklaruar Alban Ymeri, shef i rendit komunal.
Ymeri bëri të ditur se në bashkëpunim me Policinë po verifikojnë shkeljet.
“Në kohën kur nuk kemi ekipe kujdestare në terren në bashkëpunim me policin po verifikojmë përmes targave të automjeteve që në mënyrë që t’i shqiptojmë gjoba, ne vazhdojmë të jemi në terren dhe për të gjitha shkeljet do të ketë gjoba”, ka deklaruar Ymeri.
Por, kryeshefi i ndërmarrjes, “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka dyshime sepse thotë se mbeturinat që janë hedhur nëpër qendër të qytetit kanë qenë paraprakisht në deponi të caktuara.
“Ne e kemi adresu në bazë të matjeve që i kemi bërë në terren dhe në bazë të atyre vërehet se një pjesë e tyre kanë qëndru për një kohë të deponuara dhe tani janë shpërfaq në qytet dhe e kemi adresu në inspektorat dhe në polici”, ka theksuar ai.
Por, a kanë pasur efekt gjobat deri më tani?
“Ka efekt sepse në qendër jemi duke pas sasi më të vogël të këtyre mbeturinave dhe ne nga kjo javë e nisim ekipen monitoruese në terren”, ka deklaruar Reçica.
Komuna e Prishtinës shqipton gjoba nga 200 euro deri në 800 për personat që mbeturinat i hedhin në lokacione tjera të ndaluara./Tv Dukagjini
- YouTube youtu.be



















































