Sveçla kritikon Ramën: Asnjë fjalë konkrete për mbeturinat, asnjë plan për qentë endacakë

Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas paraqitjes së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në Debat Plus, duke e akuzuar atë për arrogancë dhe shmangie të përgjegjësisë për gjendjen në kryeqytet.
“Mbrëmë, në një studio televizive, në një monolog të asistuar, Përparim Rama edhe njëherë e dëshmoi arrogancën dhe tendencën për t’i ikur përgjegjësisë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka pretenduar se Rama, në vend se të japë llogari për çështjet e qytetit, është fokusuar kryesisht në kryeministrin Albin Kurti dhe në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në vend se të japë llogari për gjendjen e papranueshme në kryeqytet, shumicën e kohës u mor me Albin Kurtin, me Lëvizjen Vetëvendosje, akuzoi e ofendoi ministra të qeverisë…”, ka shkruar ai.
Sveçla ka renditur disa prej problemeve që, sipas tij, nuk u adresuan në paraqitjen e Ramës, përfshirë mbeturinat, qentë endacakë, trafikun dhe gjendjen e ndërmarrjeve publike.
“Asnjë fjalë konkrete për mbeturinat që po e mbulojnë qytetin. Asnjë plan për qentë endacakë. Asnjë zgjidhje për kolonat dhe kaosin në trafik. Asnjë përgjigje për ndërmarrjet publike në prag të kolapsit”, ka theksuar Sveçla, duke shtuar se nuk pati, sipas tij, “asnjë vizion për hapësirat e gjelbra, parkingjet, shkollat apo çerdhet”.
Në postimin e tij, ai ka kritikuar edhe atë që e quan etiketim të qytetarëve.
“Në fund i quajti qytetarët e këtij vendi të korruptuar”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka përmbyllur reagimin me kritika të ashpra ndaj Ramës.
“Përparim Rama është dëshmia më e qartë se Prishtina diku ka hyrë në gjynah”, ka shkruar ai. /Telegrafi/





















































