Blaise Matuidi do të mbetet te Juventusi edhe për një tjetër vit.

Mesfushori francez ishte futur në vitin e fundit të kontratës e cila i skadonte në qershor të këtij viti.

Shumë skuadra kishin filluar të ëndërronin transferimin e tij, teksa PSG, Lyon e Marseille e kërkonin me ngulm.

Por në kontratën e tij ka pasur një klauzolë që klubi ka mundur ta aktivizojë duke iu rinovuar kontrata automatikisht edhe për një vit tjetër.

Kësisoj 32-vjeçari do të mbetet në Torino deri në verën e vitit 2021.

Blaise Matuidi. (Photo by Alessandro Sabattini/Getty Images)

“Do të qëndroj te Juventusi. Kontrata ime përfshinte një klauzolë që mund të rinovonte klubi për një vit tjetër dhe kanë vendosur kështu”.

“Jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të jem pjesë e Juventusit, edhe dëshira e familjes time ka qenë të qëndronim në Torino”, ka deklaruar Matuidi.

Mesfushori francez është njëri nga më të rëndësishmit e Sarrit dhe këtë edicion ka zhvilluar 30 ndeshje në të gjitha garat. /Telegrafi/