eksperti ad

Përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martinez, ka analizuar përballjen ndaj Kroacisë në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës 2026, duke folur edhe për rëndësinë e Cristiano Ronaldos para ndeshjes së madhe.

Trajneri portugez vlerësoi kundërshtarin, duke theksuar se të dy kombëtaret kanë stil të ngjashëm loje dhe se posedimi i topit mund të jetë faktor vendimtar në këtë përballje.


Martinez u pyet edhe për mundësinë që Cristiano Ronaldo ta nisë ndeshjen si titullar, por ai nuk dha një përgjigje të qartë, duke nënvizuar rëndësinë që kapiteni vazhdon ta ketë brenda ekipit.

“Nesër e nisim Botërorin tonë të vërtetë, prandaj përgatitja e bërë gjatë tri ndeshjeve të fazës së grupeve ishte thelbësore. Ka gjëra që i kemi bërë mirë dhe të tjera që duhet t’i përmirësojmë”.

“Kroacia është e ngjashme me ne, sepse i pëlqen ta ketë posedimin e topit. Të dyja kombëtaret janë më të rrezikshme kur e kanë topin dhe kjo është diçka që duhet ta kemi parasysh”.

“Nuk ka sekrete mes nesh, pasi jemi përballur edhe në Ligën e Kombeve. Dua të vlerësoj punën e madhe të trajnerit të tyre, i cili është në krye të ekipit prej dhjetë vitesh. Modric, Gvardiol dhe Kovacic janë lojtarë të mëdhenj”.

“Cristiano Ronaldo mbetet shumë i rëndësishëm. Ai është kapiteni. Mosha është vetëm një numër. Ai jep shembull me atë që bën në dhomat e zhveshjes. Është shembull edhe për mua”, deklaroi Martinez.

Portugalia dhe Kroacia do të përballen këtë të enjte, më 2 korrik, në Toronto Stadium, për një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026./Telegrafi/

telegrafi sport app