LAJMI I FUNDIT:

Mark Zuckerberg ka rënë në vendin e 10-të në listën e njerëzve më të pasur në botë

Mark Zuckerberg ka rënë në vendin e 10-të në listën e njerëzve më të pasur në botë

Kolapsi historik i aksioneve të kompanisë Meta këtë javë ka fshirë 31 miliardë dollarë nga pasuria personale e Mark Zuckerberg, duke e ulur atë tre vende në listën e Bloomberg të njerëzve më të pasur në botë.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ai tani qëndron në vendin e 10-të në Indeksin e Miliarderëve të Bloomberg, pas bashkëthemeluesit të Oracle, Larry Ellison dhe vetëm disa qindra milionë dollarë mbi sipërmarrësin e Indisë nga energjia në teknologji, Mukesh Ambani. Shefi i Tesla-s, Elon Musk kryeson listën me një diferencë të madhe.


Meta Platforms, kompania e njohur më herët si Facebook (FB), pati të enjten ditën e saj më të keqe të tregut të aksioneve, pasi raportoi një rënie të rrallë fitimi dhe ngecje të numrave të përdoruesve.

Aksionet e kompanisë ranë me më shumë se 26 për qind, duke hequr rreth 240 miliardë dollarë nga vlera e saj e tregut.

Zuckerberg, 37-vjeçar, zotëron më shumë se 398 milionë aksione të Meta-s, ose 14.2 për qind të kompanisë.

Pas rrëzimit, shefi ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi tani ka një pasuri prej 89.6 miliardë dollarësh, vetëm 400 milionë dollarë më shumë se Ambani, i cili kontrollon Reliance Industries dhe është njeriu më i pasur i Azisë, sipas renditjes së Bloomberg.

Përveç një raporti katastrofik fitimesh, Meta zbuloi për herë të parë se sa para po shpenzon për kalimin e saj në metaverse. Kompania raportoi gjithashtu një rënie të lehtë, por të habitshme të përdoruesve aktivë të përditshëm të Facebook në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada nga tremujori i kaluar. /Telegrafi/