LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, ligjet për korridoret do të sillen me flamur evropian

Maqedoni, ligjet për korridoret do të sillen me flamur evropian

Me flamur evropian do të sillen ligjet e nevojshme për marrëveshjen me Bechtel dhe Enka për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Bëhet fjalë për 5 ligje që u sollën në seancën e sotme qeveritare ku zv.kryeministri dhe koordinatori i projektit, Artan Grubi, thotë se kjo bëhet për shkak të ligjeve të bllokuara nga opozita, ndërsa njëherit ndërtimi do të jetë më i shpejtë dhe më i lirë. Sipas tij afate dhe dënime nuk do të ketë.

“Do të veprojmë shumë më shpejtë ndaj kërkesave të realizuesit i cili dëshiron të ketë terren për të punuar ndërsa me këtë ne do të përshpejtojmë dhe thjeshtësojmë procedurat në institucionet tona për shkak se pamë se ka ngecje në funksionimin e institucioneve tona. D.m.th. dënime, claims në gjuhën angleze, nuk ekzistojnë në marrëveshje, kjo është një gënjeshtër e madhe që prezantohet në opinion. Nuk ekziston fjalë e tillë në gjithë marrëveshjen. Vlen vetëm për dy opsione, në përputhje me ligjvënien e tanishme në vendin tonë do të kushtojë më shumë”, tha Artan Grubi, zv.kryeministër.


Por sa është konkrete shuma nga buxheti që duhet paguar për ndërtim? Edhe pse u tha se e njëjta do të jetë 1,3 miliardë euro, megjithatë mund të jetë edhe më e lartë. Kjo shumë u caktua sipas studimit fizibiliti nga Qeveria.

“Kur të punohet me projekt që po projektohet në kohë reale dhe i njëjti po realizohet menjëherë në terren, ai projekt nuk mund të ketë lëshime të tilla. Do të thotë se do të projektohet dhe do të ndërtohet. Nëse ka pasur një projekt nga 2002 ose 2005, dhe jemi të sigurt se ky projekt do të kushtojë kaq e kaq në ndërtimtari, më vonë u tregua se nuk është kështu”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje.

Drejtori i ndërmarrjes publike Ejup Rustemi tha se do të ketë ekip që do ta ndjekë ndërtimin e projektit.

“Ky do të jetë ekip special që do ta ndjekë realizimin e projektit për korridorin 8 dhe 10D, ky ekip do të ketë dy njësi, një për punët ndërtimore ndërsa tjetra për shpronësim dhe dislokim të të gjitha objekteve që do të jenë në trase. Me formimin e ekipit special për ndjekjen e realizimit të Korridorit 8 dhe 10D ne do të jemi të gatshëm për realizimin e këtyre korridoreve”, theksoi Ejup Rustemi, N.P. “Rrugë Shtetërore”.

Qeveria këto ditë do t’i dërgojë Kuvendit të gjitha 5 ligjet me flamur evropian për miratim, përkatësisht me procedurë të shkurtër, mes të cilave është ligji për marrëdhëniet pune, dy ligje nga resori transport, për ndërtim dhe planifikim urbanistik dhe ligji për shpronësim./TV21/