LAJMI I FUNDIT:

Macron zbulon prioritetet e presidencës franceze të BE-së

Macron zbulon prioritetet e presidencës franceze të BE-së

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka zbuluar prioritetet e presidencës së ardhshme të Francës me Bashkimin Evropian.

Mandati gjashtëmujor, që do të nisë më 1 janar, përputhet me zgjedhjet presidenciale të shtetit francez, e cila do të mbahen më 10 prill, gjegjësisht balotazhi më 24 prill.


Macron u tha gazetarëve se presidenca franceze do të synojë “të lëvizë një Evropë më të fuqishme në botë, një Evropë plotësisht sovrane, e lirë në zgjedhjet e saja dhe e aftë të zotërojë fatin e saj”.

Ai tha gjithashtu se donte një Evropë që “është në gjendje të kontrollojë kufijtë e saj” dhe do të prezantojë një reformë të zonës së lëvizjes së lirë Shengen.

Macron theksoi “mbrojtjen e modelit tonë social”, duke bërë thirrje për “një model prodhimi, por edhe solidariteti”. Më 10 dhe 11 mars, Franca do të mbajë “një samit të jashtëzakonshëm rreth një modeli të ri evropian të rritjes ekonomike dhe investimeve”, tha lideri francez.

Macron më pas përshkroi planet për të “transformuar Evropën në një fuqi dixhitale”. Dy paketa legjislative janë duke u zhvilluar aktualisht në nivel BE, Akti i Shërbimeve Dixhitale dhe Akti i Tregut Dixhital dhe ato do të jenë “prioritetet kryesore” të presidencës franceze. Ai shtoi se ata do të kontribuojnë në “rregullimin dhe llogaridhënien e platformave”.

Rreth debatit për sundimin e ligjit që e ka ndarë Evropën Perëndimore dhe Lindore, Macron paralajmëroi se “këto janë çështje që janë ekzistenciale, ato nuk mund të negociohen”.

Ndryshe, kjo është hera e parë që nga viti 2008 që shteti francez do të mbajë presidencën e BE-së. Franca do të marr presidencën prej Sllovenisë. /Telegrafi/