LAJMI I FUNDIT:

LVV dhe LDK vazhdojnë me bisedime për program qeverisës dhe ndarje të pozitave

LVV dhe LDK vazhdojnë me bisedime për program qeverisës dhe ndarje të pozitave

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë intensifikuar përpjekjet për përafrimin e programit qeverisës, si hap i parë drejt arritjes së koalicionit të ardhshëm.

Aktualisht, takimet po zhvillohen në nivelin e grupeve punuese, kurse faza tjetër e bisedimeve, parashihet të zhvillohet në nivelin e kryetarëve të partive, kur edhe pritet ndarja e ministrive dhe pozitave kryesore gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës.


Ajo që deri më tani janë pajtuar në parim të dy partitë, është se qeveria duhet të udhëhiqet nga kryeministri që vjen nga radhët e partisë fituese të zgjedhjeve, që në këtë rast nënkupton Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti.

Po ashtu, synimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së është që të krijojnë një qeveri me 12 apo maksimumi 15 ministri. Mbetet të shihet nëse partia që e merr pozitën e kryeministrit, Lëvizja Vetëvendosje, do të merr edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit apo këtë pozitë do t’ia lirojë LDK-së. Për këto tema, bisedimet thuhet se do të barten te liderët politikë, kurse tash për tash, theksohet se është duke u biseduar për çështjet programore dhe reduktimin e numrit të ministrive.

Në funksion të arritjes së marrëveshjes dhe bashkëqeverisjes ishte edhe takimi i zhvilluar ndërmjet kandidatit aktual të vetëm për kryeministër, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit të LDK-së.

“Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë. Bashkëpunimi ynë është përkushtimi ynë. Qëllimet e mira dhe punët e mbara janë përgjegjësi e jona ndaj qytetarëve të Republikës dhe institucioneve të shtetit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti takohet me Osmanin, thotë se Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë
Lexo po ashtu Kurti takohet me Osmanin, thotë se Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë

Përfaqësuesit, e dy partive politike deklarojnë se janë në fazën finale të dakordimit për harmonizimin e planeve programore për të bashkëqeverisur.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se për disa fusha programore, siç është ajo për ekonomi, tashmë janë në linja të njëjta.

Haxhiu është shprehur optimiste se bisedimet ndërmjet grupeve punuese do të kryhen së shpejti, në mënyrë që të vazhdojë faza e bisedimeve në nivel të liderëve të dy partive.

“Janë disa çështje të cila nuk janë kompetencë e grupit punues. Grupi punues nuk ka kompetencën se cilat ministri do t’i kemi. Në këtë rast kjo i takon nivelit të kryetarëve. Prandaj, puna jonë si grup punues është vetëm harmonizimi programor. Ne jemi optimistë në këtë drejtim. Ne deri tani kemi parë një vullnet dhe gatishmëri nga përfaqësuesit e LDK-së për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se takimet pasuese do të mbahen nesër si dhe në javën e ardhshme dhe më pas do të ketë takime të udhëheqësve të partive politike.

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, tha se LDK-ja dhe LVV-ja janë në rrugë të mirë për të arritur marrëveshjen finale për koalicion bashkëqeverisës.

“Afërsisht çdo tre ditë do të kemi takime të grupeve punuese të fushave të ndryshme për të përafruar programin e përbashkët. Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja do të vazhdohet me takimin e nivelit politik në mes të liderëve politikë të dy partive tona, pra, zotit Mustafa dhe zotit Kurti, ku do të përmbyllet edhe pjesa finale politike e marrëveshjes së bashkëqeverisjes”, tha Mustafa.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike të Kosovës, që nga shpallja e rezultatit preliminar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, janë në përpjekje për të arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu kanë zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, duke përjashtuar këtu vetëm përfaqësuesit e Listës Serbe. Albulena Haxhiu nuk ka mundur të thotë nëse pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe përfshirja e komuniteteve brenda koalicionit qeverisës.

“Nuk kemi ndonjë vendim për ketë, por ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me ta. Besojmë se është me rendësi që t’i përfshijmë edhe komunitetet joshumicë të Kosovës. Prandaj, pas finalizimit të koalicionit me LDK-në, ne do të vazhdojmë me hapa të tjerë. Pra , ne nuk mund të lidhim koalicion njëherë me përfaqësuesit e komunitetit joshumicë, pa u bërë koalicioni i madh (me LDK-në)”, tha Haxhiu.

Të dy partitë politike LVV-ja dhe LDK-ja, kanë thënë se janë në pritje të certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të shkuar tutje me hapat final të marrëveshjes.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe para zgjedhjeve të 6 tetorit, janë takuar disa herë, por nuk arritën që të bëjnë koalicion parazgjedhor dhe garuan ndaras.

Nga rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave.

Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta. /rel/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Kronika e Zezë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Ekspertja e Këshillit të Evropës kritikon Komisionin parlamentar lidhur me Projektligjin për KPM-në

Ekspertja e Këshillit të Evropës kritikon Komisionin parlamentar lidhur me Projektligjin për KPM-në

Lajme
Kalo në kategori