LAJMI I FUNDIT:

Lushaku: Të merret seriozisht procesi i evropianizimit të Kosovës

Lushaku: Të merret seriozisht procesi i evropianizimit të Kosovës

Profesoresha universitare dhe njohësja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Jehona Lushaku ka thënë se Traktati i Lisbonës thekson se shtetet duhet të njihen si të tilla, para anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këtë ajo e ka thënë derisa ka folur për strategjinë e re të zgjerimit të BE-së, ku përfshihen gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kurse për pranimin në pako, ajo ka thënë se “BE iu referohet shteteve ndaras, edhe pse strategjia është për Ballkanin Perëndimor”.

“Kosova nuk është trajtuar shumë për shkak të rrethanave brenda BE-së”

“Komisioni ka provuar që ta përfshijë Kosovën, duke e ditur se janë pesë shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Është e rëndësishme që Kosova, pavarësisht çka është thënë, që të ketë vullnet dhe procesin e integrimeve ta trajtojë seriozisht dhe t’i respektojë kriteret dhe t’i përmbushë ato”, ka thënë Lushaku në Zona B të Klan Kosovës.

Ajo ka theksuar se sfidat më të mëdha të Kosovës janë rendi dhe ligji, lufta kundër korrupsionit dhe ushtrimi demokratik i institucioneve.

“Evropianizimi është proces që kërkon jo vetëm ndryshim institucional por edhe ndryshime të shoqërisë dhe kjo nuk po ndodh në Kosovë. Duhet të ishte proces që udhëhiqet nga elitat politike, por fatkeqësisht deri tash evropianizimin e Kosovës nuk e kanë parë si të rëndësishëm. Për t’u evropianizuar, si perspektivë, duhet ta marrim seriozisht”, tha ajo.

Lushaku thotë se “në këtë strategji është thënë se BE është një zgjedhje dhe edhe Serbia edhe Kosova e kanë mundësinë që të zgjedhin nëse duan të integrohen”.

“Besoj që nuk ka dilema te Kosova, por as te Serbia. Mbetet që Serbia të tejkalojë sfidën që ka për, njohjen e statusit final të Kosovës”.

“Besoj që as Serbia nuk do të ketë perspektivë evropiane nëse nuk do ta njohë Kosovën. Është me rëndësi që edhe Serbia të mos ketë konteste, nëse ka, nuk mund të anëtarësohet”, tha Lushaku.