LAJMI I FUNDIT:

Lojtarët më të mirë të Juventusit këtë sezon

Lojtarët më të mirë të Juventusit këtë sezon

Kampionati italian i afrohet fundit, me Interin që marshon drejt edhe një titulli dhe Romën që ende ka shpresa. Pozita e tretë, e palëkundur i takon Juventusit, që është një sukses, duke marrë parasysh goditjen që ky klub pësoi pas skandalit Cialciopoli, dy sezone më parë. Për këtë sukses, pa dyshim kanë kontribuar shumë lojtarë, por në këtë artikull do të veçojmë pesë nga ta, duke shtruar edhe pyetjen se cili sipas mendimit tuaj, ishte më i miri?

1. Gianluigi Buffon


Supozohet se portierët më të mirë janë ata që realizojnë mbrojtjet më të mira. Gabim. Portierë më mirë janë ata që dinë të pozicionohen, komunikojnë, organizojnë mbrojtjen dhe kuptojnë lojën e kundërshtarit, dhe nuk janë të detyruar të bëjnë shumë mbrojtje. Kjo gjë edhe i dallon Buffonin dhe portierin e Realit, Iker Casillas. Portieri italian edhe këtë sezon dëshmoi se është ndër më të mirët në botë.

2. Giorgio Chiellini

Tashmë është e pamendueshme se pse drejtori sportiv i bardhezinjve, Alessio Secco, tentoi ta shesë Chiellinin tek Manchester City në fillim të sezonit. 23-vjeçari ka qenë shtyllë e mbrojtjes, duke u kombinuar mirë me Nicola Legrottaglie, i cili po ashtu meriton të jetë në mesin e lojtarëve më të mirë të Juventusit. Ai fitoi zemrat dhe mendjet e tifozëve kur theu disa tentime të ashpra të Zlatan Ibrahimoviq dhe e zotëroi suedezin në të dyja ndeshjen e ligës kundër Interit.

3. Mauro Camoranesi

Anësori i lindur në Argjentinë, por me nënshtetësi italiane, edhe pse ka luajtur vetëm 20 ndeshje në Serie A, për shkak të lëndimit, është treguar mjaft i rëndësishëm në secilën prej këtyre paraqitjeve. Në pesë ndeshjet të fundit, 31-vjeçari ka bërë nëntë asistime, përfshirë edhe tre gjatë fitores 3-2 ndaj Milanit. Camoranesi ofron një kreativitet mjaft të nevojshëm në mesfushë dhe po të kishte qenë në formë gjatë gjithë sezonit, mbase Juve mund të kishte qenë në konkurrencë edhe për titull. Ai ka shënuar po ashtu edhe pesë gola, rrjedhimisht një në katër ndeshje dhe shumica prej tyre kanë qenë vendimtar, përfshirë edhe golat kundër Interit si në shtëpi po ashtu edhe në udhëtim, si dhe golin e barazimit gjatë fitores rikthyese në Udinese.

4. Alessandro Del Piero

Del Piero pa dyshim është në formën më të mirë e tij fizike të viteve të fundit dhe, si rezultat i kësaj, ai ka treguar sezonin më të mirë që nga ai 1997/98. Sulmuesi 33-vjeçar edhe pse pati ca lëkundje në fillim të sezonit, që nga nëntori ka qenë vazhdimisht në formë të shkëlqyeshme. Ai është ndër golashënuesit më të mirë në Serie A, me 18 gola (një më pak se dy kryesuesit Marco Borriello dhe David Trezeguet), dhe gjatë disa muajve të fundit ka pasur paraqitjet më të mira se cilido sulmues tjetër në ligën e italiane. Edhe vendimi i Roberto Donadonit, për të marrë Del Pieron në Euro 2008 duket i merituar.

5. David Trezeguet

Derisa Del Piero do të jetë në Austri dhe Zvicër, golashënuesi më i mirë i Serie A (së bashku me Marco Borriellon), David Trezeguet, duket se do të kalojë pushimet me familjen e tij. Ende është e pabesueshme se si Raymond Domenech mund të jetë aq fëmijërorë dhe të injorojë një sulmues të klasit të tij. 30-vjeçari ka prekur 19 herë portën në 36 ndeshje në Serie A. Është e qartë se Henry dhe Trezeguet nuk mund të luajnë në të njëjtin ekip së bashku, por nuk mund të mendohet as edhe të mbeten anash. Nëse kemi parasysh që Italia është në grup me Francën, Trezeguet do të duhej të ishte i zgjedhuri. /Goal/Telegrafi/