Llapi ka fituar me rikthim 5-3 në udhëtim te Drenica në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të në BKT Superligën e Kosovës.

Ekipi i Tahir Batatinës ka vazhduar formën e lartë në kampionat, duke marrë fitoren e katërt radhazi dhe duke ia shkaktuar Drenicen humbjen e katërt radhazi.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë, por i takoi për një nuancë vendasve, të cilët shënuan edhe golin e vetëm në këtë pjesë.

Ishte sulmuesi Kreshnik Uka (24’), i cili shënoi për epërsinë 1-0 pas asistimit të Osman Mëziut dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë u pa një ekip krejtësisht ndryshe i Llapit, i cili dominoi totalisht duke arritur të bëjë rikthimin e madh duke shënuar pesë gola, kundrejt një të vendasve.

Serinë e golave për Llapin e hapi mbrojtësi Elvis Prençi (48’), i cili shënoi për 1-1, ndërsa Francisco Rivera (56’) nga afërsia kaloi ekipin e tij në epërsi 1-2.

Në minutën e 60-të ishte Valmir Veliu që shënoi për 1-3, ndërsa Alef Firmino nga penalltia në minutën e 65-të çoi epërsinë në 1-4.

Listës së golashënuesve iu bashkua edhe kapiteni Bujar Idrizi, i cili në minutën e 68-të shënoi për 1-5, ndërsa Uka (82′) ngushtoi rezultatin në 2-5.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej, në skenë doli përsëri Uka, i cili nga penalltia kompletoi het-trikun për rezultatin përfundimtar 3-5.

Pas kësaj fitore, Llapi e sheh veten në pozitën e katërt me 24 pikë, ndërsa Drenica renditet e gjashta me 20 pikë.

Në ndeshjen e radhës, “Legjendat” e presin Gjilanin, teksa “Kuqezinjtë” udhëtojnë te Malisheva. /Telegrafi/