Një letër e shkruar nga një pasagjer i Titanikut, vetëm pak ditë para fundosjes tragjike të anijes, do të ofrohet në ankand në Britani të Madhe. Dokumenti pritet të arrijë një çmim deri në 35 mijë funte (rreth 41 mijë euro).

Letra është shkruar më 10 prill 1912 nga Henry Price Hodges, vetëm pesë ditë para se Titaniku të përplasej me ajsbergun dhe të fundosej në Oqeanin Atlantik.


Ai ia dërgoi letrën mikut të tij Hector Young, duke përshkruar atmosferën dhe përditshmërinë në bordin e anijes.

Hodges, i cili udhëtonte në klasën e dytë, ishte nisur drejt Bostonit për të vizituar të afërmit. Në letër ai shkruante se moti ishte i bukur dhe se udhëtimi ishte shumë i qetë, duke theksuar se lëvizja e madhe e anijes pothuajse nuk ndihej fare.

Në përshkrimin e tij, pasagjeri tregon për jetën në bord: disa udhëtarë luanin letra dhe domino, të tjerë lexonin ose shkruanin, ndërsa në kuvertën e sipërme rreth 200 të rinj marshonin dhe këndonin. Sipas tij, atmosfera në Titanik ishte shumë më ndryshe nga ajo që njerëzit do të prisnin të shihnin në një udhëtim detar.

Hodges humbi jetën kur Titaniku u fundos më 15 prill 1912, në një tragjedi ku humbën jetën më shumë se 1.500 persona. Trupi i tij u gjet më vonë dhe u varros në Halifax, Kanada.

Sipas shtëpisë së ankandeve Henry Aldridge & Son, letra ofron një pasqyrë të rrallë historike mbi jetën e pasagjerëve të klasës së dytë në anijen më të famshme në histori.

“Ajo përshkruan anijen dhe mënyrën se si pasagjerët kalonin kohën, por vetëm pak më shumë se katër ditë më vonë, Titaniku ishte në fund të Atlantikut”, tha ankanduesi Andrew Aldridge. /Telegrafi/