LAJMI I FUNDIT:

Letërsia e para 100 vjetëve që e parashikoi të sotmen

Letërsia e para 100 vjetëve që e parashikoi të sotmen
Karel Čapek dhe Evgeny Ivanovich Zamyatin (fotomontazh)

Nga: Dorian Lynskey / BBC
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Në një ditë të vitit 1920, shkrimtari çek Karel Čapek e kërkon një këshillë prej Josefit – vëllait të tij madh që ishte piktor. Kareli po e shkruante një dramë për punëtorët artificialë, mirëpo e kërkonte një emër për ta. “Do t’i quaja laboratorë, por kjo më duket disi e stisur”, i tha ai Josefit teksa punonte në një kanavacë. “Quaji pra robotë”, u përgjigj Josefi, me një furçë që mbante në gojën e tij. Në të njëjtën kohë, në Petrograd (ish-Shën Petersburg), një shkrimtar rus i quajtur Yevgeny Zamyatin po e shkruante një roman për diktaturën e teknologjisë së ardhshme që do të ketë ndikim si robotët e Čapekut.


Të dy këto vepra e shënojnë njëqindvjetorin e përbashkët, ose diçka të tillë. Čapeku e botoi dramën e tij RUR më 1920, por që nuk u shfaq deri në janar të vitit 1921. Dhe, ndonëse Zamyatini e dorëzoi dorëshkrimin e romanit të tij Ne, më 1921, pjesa më e madhe është më e hershme por që është botuar më vonë. Sidoqoftë, viti 1921 është data e tyre e përbashkët e lindjes dhe viti që na e dha robotin e distopinë e mekanizuar – dy koncepte me të cilat, me sa duket, nuk do të lodhemi kurrë. Siç shkroi Čapeku më 1920, “diçka nga e ardhmja gjithmonë mund të lexohet në pëllëmbët e së tashmes”.

RUR do të thotë Robotët Universalë të Rosumit, ku “Rosum” është lojë fjalësh ose fjala çeke “rozum” që i bie “arsye”, ndërsa “robot” (“rabota” – punë fizike, v.j.) në këtë rast do të thotë “skllavëri”. “Komedia e Čapekut, pjesërisht e shkencës, pjesërisht e së vërtetës”, është historia e Frankeshtajnit në epokën e prodhimit masiv. Robotët e Rosumit janë më shumë të ngjashëm me replikantët në filmin Bladerunner sesa me C-3PO ose WALL-E: njerëz artificialë të bioinxhinierizuar, pothuajse të padallueshëm nga gjëja e vërtetë, të cilët e kryejnë shumicën e punës në botë në mënyrë që zotëruesit e tyre të mund të shijojnë një utopi të paspunës. Në mënyrë të pashmangshme, plani rrjedh keq. Njerëzit bëhen dembelë dhe jopjellorë, ndërsa robotët komplotojnë revolucionin gjenocidal. “Ne kemi bërë makina, jo njerëz, masën e rendit njerëzor”, shkroi Čapeku më vonë, “por ky nuk është faji i makinave, është i yni”.

RUR shënoi sukses të menjëhershëm ndërkombëtar; deri më 1923 është përkthyer në 30 gjuhë dhe është vënë në skenë në Londër e në Nju-Jork. Çuditërisht, ishte shfaqja e parë në radio e transmetuar nga BBC më 1927, si dhe drama e parë televizive fantastiko-shkencore në botë më 1938. Aludimet e mëdha ndaj RUR-it janë shfaqur që atëherë në filmat Star Trek, Doctor Who dhe Futurama.

Ne është vepër po aq e rëndësishme. Shumë shkrimtarë, përfshirë Jack Londonin dhe HG Wellsin, ishin sprovuar më parë me romane anti-utopike, por Zamyatini ishte i pari që e kombinoi një koncept koherent me një narrativë të mirë për të krijuar diçka që do të shërbejë si model për distopinë. Ne zhvillohet në Një Shtet ultra-racional, ku gjithçka – nga puna deri te seksi e muzika – është e rregulluar matematikisht, ku “shifrat” me uniformë kanë numra e jo emra, dhe të gjithë mbikëqyren nga Kujdestarët nën komandën e një diktatori enigmatik të njohur si Bamirësi. Protagonisti D-530 është inxhinier i vëmendshëm i raketave që joshet nga një lëvizje ilegale revolucionare që udhëhiqet nga një disidente karizmatike e quajtur I-330. Pas një sherri të madh, rebelët shpartallohen, I-330 ekzekutohet dhe D-530 lobotomizohet në bindje të plotë. Zamyatini këmbëngulte se liria duhet të jetë jo e përsosur, irracionale e ndonjëherë e palumtur, që do të thotë njerëzore.

Nëse kjo ngjarje tingëllon pak si vepra 1984, kjo ndodh sepse George Orwelli e admiroi veprën Ne aq sa u mundua të merrte një përkthim të duhur në anglisht të botuar në vitet 1940, dhe se është kryesisht përgjegjës për reputacionin e tij modern. Edhe pse skicën për romanin e tij e shkroi para se të dinte që Ne ekzistonte, kjo ndikoi në nivelin e tregimit dhe të karakterit. Ndikimi i veprës është gjithashtu i dukshëm në Himnin e Ayn Randit, te THX 1138 i George Lucasit, te Player Piano e Kurt Vonnegutit dhe (për efekt më zbavitës) tek The Lego Movie.

Trashëgimia e kombinuar e të dy librave është e pallogaritshme – nëse keni pasë përvojë me fantashkencën, me siguri jeni zhytur në gjurmët e RUR-it dhe të Ne-së. Megjithatë, shumë më pak të njohura janë jetët paralele të burrave që i krijuan ato vepra. Čapeku dhe Zamyatini lindën me gjashtë vjet dallim dhe vdiqën me dy vjet dallim, pak para Luftës së Dytë Botërore. Të dy ishin mendimtarë të lirë, intelektualë të guximit të jashtëzakonshëm që shkruan drama, romane, tregime, që përkthyen dhe u morën me gazetari. Të dy ishin anglofilë me një dashuri të veçantë për HG Wellsin. Të dy ishin jashtëzakonisht vigjilentë ndaj rreziqeve të dogmës, të tribalizmit dhe korrupsionit të gjuhës në vitet e mesluftërave.

Të aftë për të identifikuar shpejtë kërcënimin e totalitarizmit, të dy në fund u shtypën nga kjo. Jetët e të dyve ndryshuan nga veprat e tyre më të famshme, por në mënyra krejt të ndryshme: RUR-i e bëri Čapekun superyll letrar, ndërsa Ne e bëri Zamyatin të nëpërkëmbur. Nuk mund t’i kuptoni dhuntitë e tyre për imagjinatën popullore pa ditur pak për jetët e tyre dhe se pse u detyruan të shkruajnë për tmerret që teknologjia mund t’i nxisë kur konvergjon me natyrën më të keqe njerëzore.

Yevgeny Ivanovich Zamyatin lindi më 1884 në qytetin rus Lebedian, 400 kilometra në jug të Moskës. Babai i tij ishte prift ortodoks e nëna e tij muzikante. Zamyatini e kreu shkollën më 1902, me medalje të artë për nota të mira dhe shkoi për të studiuar inxhinierinë detare në Institutin Politeknik të Shën Petersburgut ku u bë bolshevik. Ishte shpirt kërkues, luftarak, i cili pa dyshim që zgjodhi rrugën më të vështirë. “Gjithmonë kam kërkuar risi, shumëllojshmëri, rreziqe – përndryshe [jeta] e gjitha do të dukej shumë e ftohtë, shumë e zbrazët”, i tha ai gruas së tij të ardhshme Lyudmila Nikolaevna, më 1906.

Karel Čapek lindi më 1890, në një fshat në Boheminë veriore që atëherë i përkiste Perandorisë Austro-Hungareze. Ethet e fëmijërisë e lanë me sëmundjen e Bekterevit, një formë e artritit që i dha dhimbje kronike kurrizore, dhimbje koke dhe një qëndrim të përkulur. Ecte me bastun dhe nuk ishte në gjendje ta kthente kokën. Sidoqoftë, truri i tij ishte i mahnitshëm. Në një bisedë në radio më 1932, të quajtur “Si u bëra ky që jam?”, ai tha se pragmatizmin dhe kuriozitetin intelektual i kishte trashëguar nga babai, një mjek lokal, ndërsa “ndjeshmërinë romantike” dhe “fantastikën” nga nëna. Pavarësisht se u përjashtua nga shkolla e mesme në vitin 1905, meqë i përkiste një shoqërie klandestine pro pavarësisë, vazhdoi ta studionte letërsinë në Berlin dhe në Paris.

Rreth të njëjtës kohë kur Čapeku u përjashtua, Zamyatini u arrestua për herë të parë nga policia sekrete e Carit, për shkak se i përkiste një celule bolshevike. U mbajt në izolim për tre muaj, një përvojë kjo që frymëzoi tregimin e tij të parë të shkurtër, Vetëm. Kur u arrestua përsëri më 1911 dhe u internua nga qyteti, nisi të shkruante romane. “Nëse dua të them ndonjë gjë në letërsinë ruse, i detyrohem për gjithçka Policisë Sekrete të Petersburgut”, tha ai në një skicë autobiografike, duke mos përmendur se atëherë nisi të vuante nga depresioni dhe koliti kronik.

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Čapeku u përjashtua nga shërbimi ushtarak për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe ai i vazhdoi studimet duke u diplomuar në Universitetin e Pragës me doktoratë filozofie më 1915. Zamyatini, megjithatë, kishte aftësi të mira inxhinierike, kështu që qeveria ruse e dërgoi atë në Njukasëll më 1916 ku i projektoi akullthyesit për marinën ruse. Ashtu si D-530, edhe ky ishte ndërtues anijesh. Zotnillëku, zgjuarsia dhe ftohtësia emocionale e Zamyatinit bënë që miqtë ta quanin “Anglezi”. Ai u kthye në Shën Petersburg, në kohën e revolucionit.

Ngjarjet e tetorit 1917 përvijohen te Ne dhe te RUR-i. Revolucionet letrare mund të jenë të kundërta – robotët e Čapekut përmbysin zotëruesit njerëzorë, ndërsa rebelët e Zamyatinit shtypen nga shteti teknologjik – por në të dy rastet makinat fitojnë. Zamyatini paralajmëronte për potencialin e Rusisë për ta zëvendësuar një tirani me një tjetër, por, si Čapeku, satirizonte novacionet kapitaliste që i bënë njerëzit “mekanikë”, kryesisht nga shkenca menaxhuese e Frederick Winslow Taylorit dhe nga linjat e montimit të Henry Fordit. Siç shpjegoi ai në një intervistë të vitit 1932: “Ky roman është paralajmërim ndaj rrezikut të dyfishtë që kërcënon njerëzimin: fuqia hipertrofike e makinave dhe fuqia hipertrofike e shtetit”. Konteksti i tretë ishte pasoja e konfliktit të parë të mekanizuar global, viktimat e të cilit përfshinin optimizmin e paraluftës për përparimin teknologjik. Një luftë e zhvilluar me tanke, me aeroplanë dhe gazra helmues, shkroi Zamyatin, e reduktoi njeriun në “një numër, një shifër”.

Me mposhtjen e Austro-Hungarisë, Çekosllovakia u bë një shtet i pavarur në tetor 1918. “Ishte një revolucion në të cilin nuk u derdh as edhe një pikë gjaku, në të cilën as edhe një dritare nuk u thye”, do të shkruante Čapeku me krenari në përvjetorin e njëzetë të saj. Ai u bë shkrimtari i parë i famshëm i shtetit të ri. Vetëm gjatë viteve 1920 dhe 1921, si dhe duke shkruar RUR-in, nisi një rubrikë për Gazetën e Popullit; u bë drejtor artistik në Teatrin Vinohradi të Pragës dhe organizoi një takim intelektual javor në kopshtin e tij, pjesëmarrësit e të cilit u bënë të njohur si “Burrat e së Premtes”. Gjithashtu ra në dashuri me një aktore 17-vjeçare të quajtur Olga Scheinpflugová, me të cilën u martua më 1935. Letrat e tij drejtuar Olgas zbuluan një anë të turpshme, të pasigurt (dikur e ndoqi një shfaqje të RUR-it me shkrimtarin francez Romain Rolland dhe e kaloi gjithë shfaqjen duke kërkuar falje për të metat e tij), por në ato faqe rrezatonte vetëbesim dhe zgjuarsi. Zamyatini gjithashtu fshehu dobësitë e tij brenda një guaske të shkëlqyer me sharm dhe profesionalizëm.

Teksa Čapeku po kënaqej me agimin e ri të lirisë dhe të demokracisë në vendin e tij, Zamyatini shkruante që më 1918 se revolucioni “nuk i ka shpëtuar rregullit të përgjithshëm për t’u bërë fitimtar: është kthyer në diçka filistine … Dhe ajo që çdo filistin mbi të gjitha urren është rebeli që guxon të mendojë ndryshe nga ai”. Duke e përzier politikën, filozofinë dhe fizikën, me një varg esesh brilante paralajmëroi se energjia revolucionare po ngrinë në diçka statike dhe shtypëse, ndërsa argumentoi se ilaçi i vetëm ishte revolucioni i përhershëm. “Revolucionet janë të pafundme”, thotë I-330 për D-530 tek Ne. Filozofia heretike e Zamyatinit e bëri në mënyrë të pashmangshme jopopullor nën regjimin e ri. U denoncua si “emigrant i brendshëm” nga vetë Trotsky dhe u arrestua dy herë nga policia sekrete – më 1919 dhe më 1922. “Është qesharake, apo jo?”, i shkroi kritikut Alexsandr Voronsky, “se isha i burgosur dikur si bolshevik e tani jam i burgosur nga bolshevikët”.

Ai do ta kishte jetën edhe më të vështirë pa mbrojtjen e shkrimtarit Maxim Gorky, gjigantit letrar që krijoi një hapësirë për ata shkrimtarë të prekshëm që mbështetën revolucionin, por që nuk ishin komunistë besnikë. Si njeri punëtor dhe i pëlqyer, Zamyatini iu bashkua shtëpisë botuese Literatura Botërore të themeluar nga Gorky dhe e mbikëqyri personalisht botimin e përkthimeve të librave të HG Wellsit, të cilin e takoi në Petrograd në 1920. Čapeku gjithashtu u takua me Wellsin, në një vizitë të tij në Angli më 1924, ndërsa “romani i tij i shquar filozofiko-fantastik”, Fabrika absolute (1922) u vlerësua nga Zamyatini si shembull i ndikimit të “përrallave mekanike, kimike” të Wellsit. Falë autorit të Makinerisë së kohës dhe të Luftës së botëve, fantashenca e hershme ishte shesh lojërash, në thelb politike, për idetë se si ishte bota ose se si mund të jetë.

Teksa Zamyatini i mahniti dhe i tërhoqi lexuesit e tij me ide radikale e të mprehta, me prozën ultra-moderne, Čapeku u përpoq të njihej me të. Duke pretenduar se “jam i interesuar për gjithçka që ekziston”, shkroi më shumë se tre mijë artikuj, si dhe romane, tregime, shfaqje, skenarë dhe libra për fëmijë. Kolumnet e tij të shkurtra, ose fejtonet, lexoheshin si pararendëse të Orwellit për kah tonet fjalamane e të afërta për lexuesit; aforizmat e mprehta; manifestimi i jetës së zakonshme dhe botës natyrore; kritikat ndaj snobizmit dhe elitizmit; urrejtjen për abstraksionet dehumanizuese; dhe magjepsjen me gjuhën. Disa vjet para esesë historike të Orwellit, Politika dhe gjuha angleze, Čapeku e përshkruante marrëdhënien midis shkrimit të keq dhe politikës së rrezikshme: “Klisheja e mjegullon ndryshimin midis së vërtetës dhe të pavërtetës. Nëse nuk do të kishte klishe, nuk do të kishte demagogë dhe gënjeshtra publike, dhe nuk do të ishte aq e lehtë të bësh politikë, duke filluar me retorikën dhe duke përfunduar me gjenocidin”. Sidoqoftë, ishte i aftë për ta shprehur mirësinë dhe optimizmin më të madh për natyrën njerëzore, sesa Orwelli. “Besoj se të shohësh është mençuri e madhe”, shkroi ai më 1920, “dhe është më e dobishme të shohësh më shumë sesa të gjykosh”.

Čapeku ishte mik i ngushtë i Tomáš Masarykut, presidentit të parë të Çekosllovakisë, qeverinë e të cilit e shihte si rrugë të mesme humane e demokratike midis ekstremeve në rritje të komunizmit dhe të fashizmit. Më 1924 shkroi një ese të quajtur Pse nuk jam komunist? Përgjigja e tij ishte se komunistët nuk ishin tamam të interesuar për njerëzit si individë, por vetëm si masa revolucionare. “Urrejtja, mungesa e njohurive, mosbesimi themelor, janë bota psikike e komunizmit”, shkroi ai. Në të kundërtën, “e konsideroj veten në mesin e idiotëve që e duan njeriun sepse ai është njeri”. Ai besonte se njerëzit duhet të jenë “revolucionarë si atomet” dhe ta ndryshojnë botën duke e ndryshuar së pari veten e tyre.

Eseja i zemëroi komunistët çekë, por ata nuk kishin përgjegjësi. Për Zamyatinin, që jetonte në një shtet njëpartiak, një deklaratë e tillë e pavarësisë politike ishte e rrezikshme. Kur Stalini e pasoi Leninin, shkrimet e tij u censuruan, artikujt e tij u refuzuan dhe revistat periodike e botuesit për të cilët punoi, u mbyllën. Më 1925 u informua se Ne ishte, siç pritej, zyrtarisht e papublikueshme në Rusi. “Shpesh has në vështirësi, sepse jam njeri i palëkundur dhe me dëshira vetjake”, i tha një shoku. “I tillë do të mbetem”.

Në 1929, armiqtë e tij e përdorën botimin e palicencuar të ekstrakteve në gjuhën ruse të Ne-së – nga emigrantët rusë në Pragë – si justifikim për ta dënuar Zamyatin për shpërndarjen e ideve “antisovjetike” dhe për ta marrë atë që ai e quante “dënim me vdekje letrare”. Në 1931 merr leje nga Stalini për ta lënë Rusinë, përgjithmonë, por jeta e tij në mërgim, në Paris, me Lyudmilan, nuk ia doli ta ringjallte si shkrimtar. Pas disa viteve të zhgënjimit të konsumuara nga një roman i papërfunduar dhe nga skenarë kryesisht të parealizuar, vdiq nga sulmi i zemrës, më 10 mars 1937.

Në anën tjetër, Čapeku shkoi nga lart e më lartë. U nominua më shumë se një herë për Çmimin Nobel për Letërsi, dhe Wellsi i kërkoi që të bëhet president i grupit ndërkombëtar të shkrimtarëve – PEN. Megjithatë, suksesi i tij u errësua nga vetëdija e tij për planet e Hitlerit për atdheun e tij dhe ai u bë një nga antifashistët më të spikatur të Çekosllovakisë. “Të gjithë ne kemi filluar të ndiejmë se ka diçka të çuditshme dhe të pazgjidhshme në konfliktet midis pikëpamjeve të botës, mes brezave, parimeve politike dhe gjithçka tjetër që na ndan”, shkroi ai më 1934.

Čapeku i rishikoi temat e krenarisë së RUR-it, të lakmisë dhe të konfliktit, në veprën Lufta me salamandrat (1936) – një satirë kjo spektakolare për nacionalizmin, kolonializmin, militarizmin dhe racizmin. Kur njerëzit zbulojnë një racë të trëndafilave inteligjentë që jetojnë në det, ata i vënë në punë si skllevër, por amfibët me zhvillim të shpejtë bëhen të shumtë për të kontrolluar dhe për kërkuar më shumë hapësirë jetese. Nën komandën hitlereske të Shefit Salamandër, salamandrat vërshojnë dhe aneksojnë pjesë të mëdha të tokës. Čapeku shpjegon në këtë vepër se si do të përfundojë bota: “Asnjë katastrofë kozmike, asgjë tjetër përveç shkaqeve shtetërore, zyrtare, ekonomike e të tjera … ne të gjithë jemi përgjegjës për këtë”. Ekziston një mesazh i ngjashëm antifashist në shfaqjen e tij të vitit 1937, Murtaja e Bardhë, në të cilën një turmë pro luftës e shkatërron antidotin e vetëm ndaj një pandemie, duke rezultuar në një lloj vetëvrasjeje kombëtare.

Te Lufta …, fuqitë evropiane ia shesin Kinës salamandrat me shpresën për ta shpëtuar veten. Në tetor 1938, Marrëveshja e Munihut midis Britanisë, Francës dhe Gjermanisë ia bëri të njëjtën gjë vendit të Čapekut. “Bota ime ka vdekur”, i tha ai mikut të tij Ferdinand Peroutka. “Nuk kam më asnjë arsye për të shkruar”. Përkundër denoncimeve dhe kërcënimeve me vdekje nga e djathta, nuk pranoi të braktiste vendin që e donte. Gestapoja e vendosi në listën e njerëzve për t’u arrestuar, pas pushtimit të Çekosllovakisë.

Megjithatë, kur nazistët arritën në derën e tij në mars të vitit 1939, panë se ishin vonuar. Teksa punonte në kopshtin e tij të dashur, Čapeku kishte një të ftohtë që u shndërrua në pneumoni të dyfishtë. Vdiq ditën e Krishtlindjeve të vitit 1938. “Si mjek e di që ai vdiq, sepse në ato ditë nuk kishte antibiotikë dhe ilaçe sulfonamide”, tha miku i tij, mjeku Karel Steinbach, “por ata që thonë se Munihu e vrau, gjithashtu e thonë një pjesë të madhe të së vërtetës”. Nuk ka gjasa që ai të mbijetonte nga pushtimi nazist. Mes “Burrave të së Premtes” që vdiqën në kampet e përqendrimit, ishte edhe Josefi i cili vdiq në Bergen-Belsen disa ditë para se kampi të çlirohej. Një mbishkrim në gurin e varrit të Karelit në Pragë thotë: “Këtu do të ishte varrosur Josef Čapeku, piktor dhe poet. Varri është shumë më larg”. 

Karriera letrare e Čapekut përkoi pikërisht me lindjen dhe me vdekjen e Çekosllovakisë së pavarur; e Zamyatinit u shtri nga ditët e fundit të romanovëve deri në Terrorin e Madh të Stalinit. Si anëtarë të një soji të guximshëm dhe tragjik të intelektualëve të mesluftërave që refuzuan njësoj si fashizmin, komunizmin dhe imperializmin, ishin dëshmitarë të disfatës shkatërruese të vlerave me të cilat jetuan. Përfundimisht, e vetmja gjë që e tejkaloi imagjinatën e tyre ishte guximi i tyre moral. Jetët e tyre nuk u dëmtuan nga robotët ose nga anijet kozmike, por nga njerëzit që kishin dorëzuar diçka nga njerëzorja e tyre në ideologjitë e pafalshme. Siç thotë një nga personazhet e Čapekut te Fabrika absolute: “E dini, sa më të mëdha janë gjërat tek të cilat një njeri beson, aq më ashpër i përbuz ata që nuk i besojnë ato. E, megjithatë, besimi më i madh nga gjithçka është të besosh te njerëzit”. /Telegrafi/

Veprat që parashikuan të ardhmen
Lexo po ashtu Veprat që parashikuan të ardhmen
Çka na tregon fantashkenca e ditëve të sotme?
Lexo po ashtu Çka na tregon fantashkenca e ditëve të sotme?
A jetojmë në kohën e “Vrapuesit në teh”?
Lexo po ashtu A jetojmë në kohën e “Vrapuesit në teh”?
“Alien”, 40 vjet pas: Horrori futurist që flet për punën e përditshme
Lexo po ashtu “Alien”, 40 vjet pas: Horrori futurist që flet për punën e përditshme