LAJMI I FUNDIT:

Leksion nga babai im, për jetën dhe vdekjen!

Leksion nga babai im, për jetën dhe vdekjen!

Dy javë rresht kam përjetuar në spital, 24 orë pa pushim, luftën e babit tim me vdekjen.

Më kishte mësuar të flisja, më kish mësuar të ecja, të shkollohesha, të edukohesha, të komunikoja, të miqësohesha, të luftoja dhe të isha patriot, por ky leksioni i fundit ishte shumë i çmuar.


Këto dy javë më mësoi të dua jetën dhe të luftoj pa kompromis me vdekjen.

Ishte e vështirë kur e shikoja një 90-vjeçar në sallat e operacioneve, dhe i përlotur nuk kisha asnjë shpresë! Gjunjët mu prenë dhe duart më dridheshin, tek e shihja plot dinjitet dhe kurajo të pranonte çdo ndërhyrje.

Po tregohesha i dobët.

Nuk lëviza ditë dhe natë, nga krevati i tij duke u munduar të kompensoj largësinë dhe mallin e imponuar këto vite.

Nuk kishte pik loti në sytë e tij. O Zot sa shumë dinjitet, forcë, guxim dhe integritet në shtrat mes dhimbjesh dhe krizash.

Befas kuptova, që jo vetëm në jetë, por dhe drejt vdekjes, shkohet me dinjitet dhe kokën lart. Ai qëndronte si një shkëmb në terrin e mistershëm.

Mendime të errëta më kapluan, dhe papritur kujtova se po humbisja njeriun e tretë në familje brenda vitit.

Isha gabuar.

Dje ai u zgjua dhe sytë i kishte plot jetë! U ngrit dhe me tha: “Jeta është e bukur Kreshnik! Edhe sikur të gjithë të duan të të ndihmojnë, je ti që shpëton veten”.

Nesër kemi vendosur të shkojmë të notojmë, duke u rikthyer tek pasioni i vjetër.

Do vazhdojmë të notojmë sërish; mes dallgëve të jetës, pa u kthyer pas, me shpresën se do dalim në bregun tjetër.

Sa do doja, pas kësaj të më thonin: “Bëm baba, të të ngjaj”!