ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Nga: Roberto Baldoni dhe Len Khodorkovsky / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Rreziku më i madh i epokës IA-së [inteligjenca artificiale] mund të mos jetë se kush e fiton garën, por mënyra se si fitohet ajo.


Dy zëra me ndikim në politikën e teknologjisë kanë vënë së fundmi në pah dy anë të kundërta të të njëjtit problem strategjik. Drejtori ekzekutiv i Microsoft-it, Satya Nadella, paralajmëroi se “gjëja e fundit që ndonjëri prej nesh dëshiron është një botë ku çdo kompani, në çdo sektor, po ua dorëzon vlerën disa modeleve të pakta që përpijnë gjithçka që shohin”. Nënsekretari i Shtetit, Jacob Helberg, arkitekti i Pax Silica [Paqja e Silicit], paralajmëroi se vendet që ndjekin “sovranitetin digjital” përmes grumbujve kombëtarë autarkikë të IA-së, do ta çojnë veten drejt së kaluarës.

Së bashku, ata nxjerrin në pah të njëjtin paradoks: IA-ja nuk mund të mbetet njëkohësisht inovative dhe demokratike nëse vlera përqendrohet në një grusht platformash ose copëzohet në grumbuj teknologjikë të izoluar kombëtarë dhe nën standard.

Kjo dilemë tashmë ka kaluar nga teoria në diplomaci. Në Samitin Pax Silica-s në Uashington, 35 vende nënshkruan Deklaratën e Përbashkët për Mundësitë e IA-së, duke mbështetur aleancat e besuara dhe zinxhirët e qëndrueshëm të furnizimit për IA-në. Pjesëmarrja e Bashkimit Evropian e zgjeroi vizionin e Pax Silica-s në një bashkërendim të përbashkët transatlantik. Për herë të parë, një koalicion i gjerë shtetesh po organizohet rreth një agjende të përbashkët teknologjike, në vend të strategjive të shpërndara e të ndryshme.

Konsensusi që po formohet çon drejt një doktrine të re: teknologjia e besueshme. Teknologjia nuk është neutrale ndaj vlerave. Ajo pasqyron nxitjet, institucionet dhe vlerat e atyre që e financojnë, e projektojnë, e prodhojnë dhe e qeverisin. Vendet që përcaktojnë standardet, zinxhirët e furnizimit dhe mënyrën e përhapjes së saj do të vendosin nëse IA-ja do të zgjerojë lirinë apo shtrëngimin.

Teknologjia e besuar është teknologjia, projektimi, zhvillimi dhe zinxhirët e furnizimit të së cilës mbështeten në parime demokratike që nxisin si lirinë, ashtu edhe inovacionin. Përdorimi i saj krijon një ndërvarësi të përgjegjshme, të sfidueshme dhe të qeverisshme midis partnerëve të besuar, në vend të një varësie të paqartë ose shtrënguese. Siç vuri në dukje Roberto Viola, Drejtor i Përgjithshëm i DG CONNECT-it [Drejtoria e Përgjithshme për Rrjetet e Komunikimit, Përmbajtjen dhe Teknologjinë] të Komisionit Evropian: “Sovraniteti teknologjik nuk do të thotë izolim teknologjik. Do të thotë të jesh proaktiv në inovacion dhe të dish se kush janë miqtë dhe aleatët e tu, si edhe ku qëndron rreziku”.

Ky dallim ka rëndësi, sepse shqetësimet për sovranitetin janë legjitime. Qeveritë kanë të drejtë të kujdesen për vazhdimësinë operacionale, juridiksionin, qëndrueshmërinë dhe autonominë strategjike. Përgjigjja nuk është izolimi teknologjik i vetimponuar, por ndërvarësia e besueshme: aftësia për t'u mbështetur me besueshmëri te partnerët e besuar pa u bërë i cenueshëm në aspektin strategjik. Në epokën e IA-së, sovraniteti do të matet më pak nga ajo që zotëron një shtet dhe më shumë nga ajo të cilës ai mund t'i besojë.

Demokracitë përballen me dy cenueshmëri të njëkohshme. Në rrjedhën e sipërme, akterët autoritarë që përcaktojnë të parët standardet e projektimit mund të normalizojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin përpara se të shfaqen alternativat. Në rrjedhën e poshtme, infrastruktura e kontrolluar prej regjimeve autoritare mund ta shndërrojë suksesin në treg në ndikim gjeopolitik, duke kufizuar lirinë përmes varësisë dhe jo përmes ballafaqimit. Iniciativa Clean Network [Rrjeti I pastër] dëshmoi në vitin 2020 se demokracitë mund t'i mbyllin të dyja këto fronte. Duke bashkërenduar 60 vende dhe më shumë se 200 operatorë të telekomunikacionit rreth furnizuesve të besuar, ajo ndryshoi trajektoren globale të teknologjisë 5G.

Siç ka argumentuar Helbergu, Shtetet e Bashkuara nuk krijuan një kampion kombëtar të 5G-së. Ato u mbështetën te aleatët e besuar dhe inovuan në shtresën që qëndron sipër. Në mënyrë të ngjashme, vizioni i Nadellas për “një ekosistem të shpërndarë të kufirit të avancuar” e mban dijen institucionale brenda organizatave, në vend që ta përqendrojë atë në disa modele themelore. Edhe pse ata veprojnë në nivele të ndryshme - njëri në nivel gjeopolitik, tjetri në nivel organizativ - të dy varen nga aftësia e aktorëve të pavarur për të bashkëpunuar mbi infrastrukturat e përbashkëta. Kjo, nga ana tjetër, kërkon një kornizë të përbashkët për bashkëpunim të besuar.

Pikërisht për këtë arsye, besimi nuk mund të mbetet thjesht një aspiratë politike. Ai duhet të bëhet i matshëm. Standardi Global i Teknologjisë së Besuar (xGTT), i zhvilluar nga Krach Institute for Tech Diplomacy [Instituti Krak për Diplomaci Teknologjike] në Universitetin Përdju, është një nga përgjigjet që po merr formë. Ai vepron si një shtresë besimi - një mjet i verifikueshëm dhe ndërveprues për vlerësimin jo vetëm të kompetencës teknike, por edhe të qeverisjes demokratike. Në fund të fundit, xGTT-ja u jep qeverive, ndërmarrjeve dhe zhvilluesve një mënyrë të qartë për të siguruar që teknologjia është vërtet e besueshme përpara se të integrohet në sisteme kritike.

Megjithatë, vetëm një standard nuk mjafton. Ajo që u nevojitet demokracive është bashkëlidhja demokratike: integrimi i qëllimshëm i tregjeve, institucioneve dhe kapaciteteve, në mënyrë që partnerët e besuar të mund të kombinojnë kapacitetet llogaritëse, mineralet, kapitalin, kërkimin shkencor dhe talentin pa qenë nevoja të rinegociojnë besimin në çdo transaksion.

Blloqet ndërtuese të këtij vizioni tashmë po marrin formë. Një Projekt i Asistencës për IA-në në kuadër të Pax Silica-s për Panamanë, po zhvillon një platformë për kredencializimin dhe gjurmimin e zinxhirit të furnizimit të IA-së, me qëllim verifikimin e origjinës dhe integritetit të gjysmëpërçuesve, mineraleve kritike dhe infrastrukturës së IA-së që kalojnë përmes njërit prej nyjave logjistike më strategjike në botë. Po ashtu, nisma në zhvillim e G7-ës për Software Bill of Materials [Lista e Materialeve të Softuerit - SBOM] për IA-në po e shndërron transparencën mbi modelet, grupet e të dhënave, infrastrukturën dhe komponentët e sigurisë në një instrument praktik për vendosje të besuar në tregjet e vendeve aleate.

Edhe sektori privat po lëviz në të njëjtin drejtim. Trusted Tech Alliance [Aleanca e Teknologjisë së Besuar] - që bashkon kompani udhëheqëse të industrisë si Microsoft, Google Cloud, AWS, Anthropic, Ericsson, Nokia, NTT dhe të tjera - tregon se industria po e njeh gjithnjë e më shumë besimin si një aset konkurrues dhe jo thjesht si një detyrim për përputhshmëri.

Megjithatë, vetëm udhëheqja e sektorit privat nuk mund ta përcaktojë besimin. Siç pyeti drejtori ekzekutiv i Palantir-it, Alex Karp: “A do ta delegojmë vërtet fushëbetejën e këtij vendi te pikëpamja konsensuale e Silicon Valley-t [Lugina e Silicit]”? Kjo pyetje shkon përtej fushëbetejës. Karp paralajmëroi se edhe ndërmarrjet mund të jenë duke ua dorëzuar të dhënat e tyre pronësore dhe avantazhin konkurrues pikërisht platformave nga të cilat varen. Në të dyja nivelet - siguria kombëtare dhe sektori tregtar - kur gjigantët e teknologjisë janë aq dominues sa mund të përcaktojnë se çfarë është besimi, ekziston rreziku që sovraniteti publik të zëvendësohet nga sovraniteti privat. Për ta zbutur këtë rrezik, çdo standard për teknologjinë e besuar duhet të mbetet i hapur, transparent, i sfidueshëm dhe i vlerësueshëm në mënyrë të pavarur.

Edhe mjedisi gjeopolitik po bëhet më i favorshëm. Pjesëmarrja e Bashkimit Evropian në Pax Silica, së bashku me thjeshtimin e rregulloreve dhe ripërtëritjen e politikës industriale, sinjalizon një theks më të fortë te inovacioni. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara po e plotësojnë dinamizmin e tregut me një qeverisje të synuar për IA-në e kufirit të avancuar. Të dyja anët e Atlantikut po konvergojnë drejt një kuptimi të përbashkët: llogaridhënia e verifikueshme është parakusht për udhëheqjen teknologjike. Qasje të ngjashme, të përqendruara te besimi, po shfaqen edhe në Japoni, Korenë e Jugut dhe Singapor.

Gara për IA-në nuk do të vendoset vetëm nga kapaciteti llogaritës, kapitali apo algoritmet. Ajo do të vendoset nga koalicioni që ndërton ekosistemin më inovativ dhe më të madh të teknologjisë së besuar. Bota e lirë tashmë i ka shumë prej pjesëve të nevojshme. Ajo që ende i mungon është vetëdija për t'i bashkuar ato në një arkitekturë teknologjike koherente dhe elementi lidhës që e shndërron këtë arkitekturë në një avantazh strategjik: teknologjia e besuar ofron doktrinën. Ndërvarësia e besuar siguron strategjinë. Bashkëlidhja demokratike jep shkallën e nevojshme. Një standard global i besimit është ai element lidhës që i shndërron partnerët e besuar në një fuqi të bashkuar të tregut. /Telegrafi/