Legjenda braziliane zgjedh favoritët për “Këpucën e Artë” në Botërorin 2026, veçon dy yje të Real Madridit


Legjenda braziliane, Kaka, beson se dy futbollistë të Real Madrid janë kandidatët më seriozë për të fituar “Këpucën e Artë” në Botërorin 2026.
Në një intervistë për ESPN UK, ish-fituesi i Topit të Artë u pyet se cilët janë dy favoritët e tij për të përfunduar turneun si golashënuesit më të mirë. Përgjigjja e tij ishte e qartë:
“Padyshim Mbappe, pastaj Vini Jr.”, deklaroi Kaka.

Përzgjedhja e Kylian Mbappe si favoriti kryesor nuk përbën befasi. Sulmuesi francez ka dëshmuar vazhdimisht cilësitë e tij në skenat më të mëdha të futbollit dhe deri tani ka realizuar tre gola në këtë Botëror.
Shpejtësia, instinkti para portës dhe lëvizjet e tij e bëjnë një nga sulmuesit më të vështirë për t’u ndalur, veçanërisht në ndeshjet me eliminim direkt.
Ndërkohë, Vinicius Junior mbetet një tjetër emër i fortë në garën për “Këpucën e Artë”.
Ylli brazilian ka shënuar dy gola me Kombëtaren e Brazilit dhe po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi në repartin ofensiv të “Seleçaos”.

Me lëvizjet e tij të mprehta, aftësinë për të krijuar raste dhe efektivitetin në fazën përmbyllëse, Vinicius vazhdon të konsiderohet një nga pretendentët kryesorë për çmimin e golashënuesit më të mirë të turneut, edhe në ndeshjet kur nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës.
Mbetet të shihet nëse njëri prej dy yjeve të Real Madridit do ta përmbushë parashikimin e Kakas dhe do ta mbyllë Botërorin 2026 në krye të listës së golashënuesve. /Telegrafi/





































