LAJMI I FUNDIT:

Largimi i Draghit e le BQE-në ende larg objektivave

Largimi i Draghit e le BQE-në ende larg objektivave

Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi që ka shpëtuar euron gjatë krizës së borxheve, do të zhvillojë takimin e fundit të politikave në krye të institucionit, megjithatë takimi nuk pritet të jetë një “xhiro e nderit” për politikëbërësin italian.

Fjalimi i tij në vitin 2012, ku tha se do të bëjë gjithçka për të shpëtuar ekonominë, përfundoi krizën e borxhit të Eurozonës, por fjalimi i tij po harrohet dhe inflacioni vazhdon të qëndrojë larg objektivit të institucionit.


Për më tepër, politikëbërësit e Bankës Qendrore Evropiane janë më të ndarë se kurrë dhe stimujt e fundit monetarë morën pak mbështetje nga bordi drejtues.

Institucioni nuk pritet të bëjë lajmërime të reja të politikave, por Draghi që do zëvendësohet nga Christine Lagarde më 1 nëntor, pritet t’i kërkohen përgjigje për këto ndasi brenda bankës.

Sipas një sondazhi të Reuters, thuajse 95 për qind e të anketuarve thanë se paketa e stimujve e bankës nuk do të nxisë inflacionin drejt nivelit objektiv.

Inflacioni rezultoi në 0.8 për qind gjatë muajit shtator, që është niveli më i ulët në tre vite. Problemi për Bankën Qendrore Evropiane është se disa faktorë që po mbajnë inflacionin e ulët, janë jashtë kontrollit të institucionit. Rritja e pagave po kufizohet nga konkurrenca botërore dhe automatizimi, çka nënkupton se stimujve monetarë i duhen më shumë kohë që të japin efekt.

Ekonomia e Eurozonës varet gjithashtu nga eksportet, e cila hap një vrimë në sferën mbrojtëse të Bankës Qendrore Evropiane, ku futen efektet e luftës tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/