Lan Qyqalla fiton çmimin e dytë në festivalin ndërkombëtar “Çfarë nuk di Kaini” në Itali


Autori nga Fushë Kosova u vlerësua për tregimin “Gruaja që nuk pranoi të heshtë”, ndërsa çmimin ia dedikoi mbesës së tij, Arila
Shkrimtari nga Kosova, Lan Qyqalla, është nderuar me çmimin e dytë në edicionin e shtatë të Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi dhe Arte Pamore “Ciò che Caino non sa” / “Çfarë nuk di Kaini”, i mbajtur në Itali.
Në këtë ngjarje kulturore, e cila mblodhi krijues nga vende të ndryshme të botës, morën pjesë shkrimtarë, artistë, filozofë, kompozitorë, muzikantë, gazetarë, psikologë dhe fotografë.
Qyqalla u vlerësua në seksionin e narrativës për autorët që jetojnë jashtë Italisë, me tregimin “Gruaja që nuk pranoi të heshtë”, duke u renditur i dyti, pas autorit nga Panamaja dhe para autores nga Greqia.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në Foggia, në prani të personaliteteve të shumta nga fusha e artit, kulturës, letërsisë, shkencës dhe filozofisë. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe përfaqësues të Universitetit të Barit, anëtarë të komisionit vlerësues, përfaqësues institucionalë, si dhe drejtuesja e çmimit, Maria Teresa Infante La Marca.
Në amfiteatrin e mbushur me pjesëmarrës dhe mysafirë, u ndanë çmimet për krijuesit më të dalluar në fusha të ndryshme të artit, letërsisë dhe kulturës.
Një moment i veçantë i ceremonisë iu kushtua edhe shkrimtarit kosovar, i cili pati rastin të prezantojë vlerat ideo-artistike të tregimit të tij. Vepra “Gruaja që nuk pranoi të heshtë” trajton një temë të ndjeshme dhe aktuale, në përputhje me frymën e këtij çmimi ndërkombëtar, i cili lidhet me ndërgjegjësimin kundër dhunës gjinore dhe dhunës ndaj të miturve.

Ky vlerësim konsiderohet sukses i rëndësishëm për letërsinë shqipe dhe një lajm i mirë për kulturën në Kosovë, veçanërisht për Fushë Kosovën, nga vjen autori.
Në mesin e të vlerësuarve ishte edhe poeti shqiptar Nikollë Loka, i cili u nderua me Çmimin e Ekselencës për poezi.
Pas marrjes së çmimit, Qyqalla shprehu mirënjohjen e tij për Akademinë e Arteve dhe Shkencave Filozofike të Barit, si dhe për organizatorët e festivalit, duke uruar edhe fituesit e tjerë që ishin pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore dhe artistike.

“Ky çmim i dytë, i fituar në një konkurrencë ndërkombëtare me autorë nga shumë vende të botës, ia kushtoj mbesës sime të dashur, Arila, vetëm tre vjeçe. Uroj që ajo, me talentin, përkushtimin dhe ëndrrat e saj, të ecë përpara edhe më larg se gjyshi dhe një ditë të nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, shkencë ose inovacion”, ka thënë Qyqalla. /Telegrafi/




































