Ky veprim i zakonshëm nuk lidhet vetëm me padurimin – ai na krijon një ndjenjë kontrolli dhe e bën pritjen të duket më e shkurtër

A ju ka ndodhur ta shtypni përsëri butonin për thirrjen e ashensorit ose atë për mbylljen e dyerve, edhe pse ai tashmë është i ndezur? Sipas psikologëve, kjo nuk është vetëm shenjë padurimi, por lidhet me nevojën e natyrshme për të ndier se kemi kontroll mbi situatën.


Edhe pse shtypja e përsëritur zakonisht nuk ndryshon asgjë, ajo mund të krijojë përshtypjen se pritja po zgjat më pak.

Me siguri e keni bërë këtë shumë herë, para ose brenda ashensorit, edhe pse e dini se veprimi juaj nuk do ta përshpejtojë procesin. Në pamje të parë, duket si sjellje e dikujt që nuk mund të durojë as disa sekonda vonesë. Megjithatë, kjo dukuri ka një emër dhe është studiuar prej dekadash.

Çfarë është iluzioni i kontrollit?

Psikologia Ellen Langer e përshkroi që në vitin 1975 fenomenin e njohur si “iluzioni i kontrollit” – prirja e njerëzve për të besuar se mund të ndikojnë në ngjarje që, në të vërtetë, nuk varen prej tyre.

Në një eksperiment, pjesëmarrësit blinin bileta lotarie. Ata që e zgjidhnin vetë biletën e tyre e konsideronin atë më të vlefshme sesa ata që e merrnin rastësisht, edhe pse të gjithë kishin të njëjtat gjasa për të fituar.

Sipas Langerit, kur ndërmarrim një veprim, sado i vogël qoftë ai, krijojmë ndjesinë se e kemi situatën nën kontroll. Kjo na jep më shumë siguri dhe e zvogëlon ndjenjën e pafuqisë, transmeton Telegrafi.

Pse butoni ndonjëherë nuk funksionon?

Në disa ndërtesa, butoni për mbylljen e dyerve të ashensorit mund të mos jetë aktiv për përdoruesit. Për shkak të rregullave të sigurisë dhe të qasshmërisë, dyert duhet të qëndrojnë të hapura për një kohë të caktuar, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara ose ata që përdorin paterica të mund të hyjnë në mënyrë të sigurt.

Ngjashëm mund të ndodhë edhe me disa butona në vendkalimet për këmbësorë ose me termostatet në ndërtesat e punës. Edhe kur ndikimi i tyre është i kufizuar, ato u japin njerëzve ndjesinë se po bëjnë diçka për ta ndryshuar situatën.

Pse pritja duket më e shkurtër?

Eksperti për menaxhimin e pritjes, David Maister, ka treguar se koha e mbushur me një veprim kalon më shpejt sesa koha gjatë së cilës vetëm presim.

Si shembull, ai përmendi një hotel që kishte shumë ankesa për ashensorët e ngadalshëm. Në vend që t’i zëvendësonte ashensorët, hoteli vendosi pasqyra në holl. Njerëzit filluan të merreshin me pamjen e tyre në vend që të numëronin sekondat dhe ankesat pothuajse u zhdukën.

Një rezultat i ngjashëm është vërejtur edhe në një ambulancë. Prania e një infermiereje që i pranonte menjëherë pacientët nuk e shkurtoi kohën e pritjes për mjekun, por pacientët kishin përshtypjen se prisnin më pak, sepse procesi kishte nisur.

Të njëjtën sjellje e shohim kur e shtypim disa herë butonin e telekomandës, kontrollojmë vazhdimisht se ku ndodhet porosia që presim ose e rifreskojmë pa pushim një faqe interneti. E dimë se këto veprime nuk e përshpejtojnë ngjarjen, por na krijojnë ndjesinë se po bëjmë diçka.

A duhet të shqetësohemi?

Sipas Ellen Langerit, zakonisht nuk ka arsye për shqetësim. Veprime të tilla të vogla nuk i bëjnë dëm askujt dhe mund ta zvogëlojnë ndjenjën e pafuqisë, duke e bërë pritjen më të durueshme.

Dyert e ashensorit do të hapen ose do të mbyllen kur të vijë momenti. Dallimi është vetëm se disa shtypje të butonit na bëjnë të ndiejmë se ato pak sekonda kalojnë më lehtë. /Telegrafi/