LAJMI I FUNDIT:

Lala: Nga futbolli në biznes farmaceutik

Lala: Nga futbolli në biznes farmaceutik

Mesfushori shqiptar, Altin Lala, është idhull i sportdashësve në Hanover, por shpejt do të jetë pjesë e një biznesi në Shqipëri. Bashkë me kompaninë “Rosman” ai do të hapë treg farmaceutik, por edhe kozmetik në Shqipëri dhe ndjehet krenar që do të hapë vende të reja pune. Megjithëse është një punë që nuk e njeh, thjesht do të përdorë njohjen dhe emrin që ka, pasi siç shprehet edhe vetë nuk merr vesh nga kremrat apo xheli i flokëve. “Për flokët e mi kam përdorur vetëm shampo”, - pohon ai. Ja intervista e dhënë këto ditë për gazetën sportive gjermane “Bild”.

A e dini se jeni i vetmi mesfushor që nuk ka shënuar ende asnjë gol këtë kampionat?
Lala:
Për fat të keq, statistikat në Gjermani janë shumë të mira. Në pjesën sulmuese unë nuk jam dalluar edhe aq shumë. Por unë duhet ta shënoj një gol dhe do ta shënoj.

A e mbani mend ende golin ndaj Hertës sezonin e kaluar?


Lala: Normal. Është goli im i vetëm (në Bundesligë). E mora topin 30 metra larg portës dhe kombinova me Bruginkun. Ai pasoi shkëlqyeshëm dhe unë dola i vetëm para portës duke goditur me të majtën dhe duke shënuar në cep. Një ndjenjë e çmendur.

Dhe një çlirim apo jo?

Lala:
Padiskutim. Shumë njerëz pyesnin nëse do të shënoja ndonjëherë ndonjë gol. Tashmë ky diskutim u mbyll.

Keni 10 vjet në Hanover. Përse trajneri Heking nuk mund të bëjë pa ju?
Lala:
Unë jam një lojtar skuadre, dhe ndihmoj që të tjerët të jenë më të lirshëm. Në vend të sulmit unë bëj “punët e pista”. Jam i kënaqur me paraqitjet e mia dhe me besim për të ardhmen.

Pas kartonit të verdhë dhe të ku në Mynih (ndaj Bajernit) u vutë në qendër të kritikave.
Lala:
Më duket e padrejtë që unë të cilësohesha si më i keqi vetëm për dy ndërhyrje të gabuara ndaj Riberisë. Tifozët, sidoqoftë, duan të shikojnë edhe dyluftime.

A rrëzohen shumë shpejt lojtarët në Gjermani?
Lala:
Kjo është gjëja që më mërzit. Kur dikush bie në kontaktin më të vogël vetëm që (kundërshtari) të marrë karton të verdhë. Edhe unë mund të isha rrëzuar në Frankfurt kur Manzios më kapi për fyti. Unë e di që shpesh luaj me shumë nerv në fushë, por edhe gjyqtarët vërshëllejnë shumë shpejt.

Do të bashkëpunoni me Rosmanin për të hapur treg farmaceutik në Shqipëri. A jeni marrë me kremra dhe xhel për flokët?
Lala:
Jo, jo. Futbolli vazhdon të mbetet në vend të parë. Madje unë kam përdorur vetëm shampo për flokët e mi deri më sot.

Si erdhi puna deri tek bashkëpunimi?

Lala:
Unë e para këtë ide që para disa vjetësh që zotin Kind (presidenti i Hanoverit) dhe zotin Rosman t’i mblidhja së bashku. Në Shqipëri nuk ka treg të tillë dhe njerëzit janë të detyruar t’i blejnë këto prodhime të kujdesit (për veten) me çmime të shtrenjtë në kioska të vogla. Për mua kjo është një detyrë e rëndësishme.

Si do të veproni?

Lala: Do të siguroj rrjetin lokal. Unë e di sesi duhet të sillesh me shqiptarët. Jam i lumtur që do të mund t’i ndihmoj vendin ku kam lindur për të hapur vende të reja pune.

A do të bëheni sipërmarrës me kohë të plotë pas përfundimit të karrierës?

Lala: Futbolli është ende gjëja që unë bëj më mirë, që nuk dua ta humbas. Unë fare mirë mund të jem edhe gjahtar talentesh apo trajner tek Hanoveri.

Deri në ç’moshë doni të luani. Deri në 40 si Tarnat?

Lala: E pabesueshme, nuk di si ia bën. Por dua të luaj edhe 3 vjet (deri 36 vjeç) dhe pastaj t’i jap fund.

A mund të arrijë 96-ta (Hanover 96) në Kupën UEFA?

Lala: I ka mundësitë, por në një të ardhme të arsyeshme. Do të ishte mirë që ne të fitonim Kupën e Gjermanisë, më mungon një trofe. Ndërsa titulli kampion gjerman më duket i vështirë./albania-sport/