LAJMI I FUNDIT:

Lajçak: Nuk ka asgjë teknike në dialogun Kosovë-Serbi

Lajçak: Nuk ka asgjë teknike në dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi në Bruksel.

Këtë e ka bërë të ditur Lajçak përmes një shkrimi në Twitter.


Ai ka siguruar se gjithçka që do të bisedohet është mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Tutje ka theksuar se nuk ka asgjë teknike në dialog.

“E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër”.

“Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është politike, asgjë s’është teknike”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Më herët ishte njoftuar se delegacioni i Kosovës do të takohet me përfaqësuesit e BE-së më 6 korrik, ndërsa ai i Serbisë më 7 korrik.

Më pas do të zhvillohet takimi i të dyja ekipeve, me ndërmjetësimin e BE-së.

Në të kaluarën bisedimet Kosovë-Serbi janë zhvilluar në dy nivele, mes delegacioneve në nivel teknik që kanë diskutuar ose aranzhuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në nivel politik mes kryeministrave ose presidentëve.

Marrëveshjet janë arritur edhe në kuadër të dialogut teknik, përfshirë marrëveshjen për njohjen e diplomave, atë të kadastrit, vulave doganore etj.

Mirëpo, siç duket BE-ja tashmë nuk preferon të bëjë një ndarje të tillë, pasi Lajçak thotë se të “gjithçka në bisedime është politike”.

Delegacioni i Serbisë udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. /Telegrafi/