Lady Gaga mahnit me fustanin e zi në premierën e ‘The Devil Wears Prada 2’ – ylli shkëlqen krah Anne Hathaway dhe Meryl Streep në tapetin e kuq

Lady Gaga ka tërhequr gjithë vëmendjen në premierën e filmit “The Devil Wears Prada 2”, duke u shfaqur me një pamje elegante dhe klasike në tapetin e kuq të mbajtur në Qendrën Lincoln në New York City.
Këngëtarja dhe aktorja 40-vjeçare u shfaq me një fustan të zi pa rripa, të ngushtë në trup dhe me fund në stil sirene, duke krijuar një paraqitje të rafinuar që u komentua gjerësisht nga të pranishmit.
Ajo iu bashkua yjeve të filmit, përfshirë Anne Hathaway, Meryl Streep dhe Emily Blunt, të cilat gjithashtu morën pjesë në eventin e shumëpritur, shkruan DailyMail.

Pamjen elegante, Gaga e plotësoi me bizhuteri minimale, duke vendosur në pah vathët me diamante dhe unazën e fejesës.
Flokët biondë platini i kishte stiluar me bisht të ulët dhe ndarje anësore, ndërsa grimi ishte i butë, me nuanca natyrale që i përshtateshin stilit klasik të mbrëmjes.

Artistja është e fejuar me sipërmarrësin e teknologjisë Michael Polansky, i cili i propozoi në korrik të vitit 2024, pas disa vitesh lidhjeje.
Vetëm pak ditë më parë, Gaga përmbylli turneun e saj botëror “Mayhem Ball”, i cili rezultoi një sukses i madh, duke përfshirë koncerte në pesë kontinente gjatë një periudhe 12-mujore.
Sipas të dhënave të raportuara, turneu ka gjeneruar rreth 419.5 milionë dollarë dhe ka shitur afro dy milionë bileta, duke e renditur atë mes dhjetë turneve më të suksesshme nga një artiste femër në histori. /Telegrafi/
































































