Kylian Mbappe bëhet lojtari i parë pas Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos që arrin një rekord të madh

Kylian Mbappe ka hyrë në histori te Real Madridi dhe La Liga, duke u bërë lojtari i parë pas 38 vitesh – që nuk quhet Cristiano Ronaldo apo Lionel Messi – që e fiton trofeun “Pichichi” në dy sezone radhazi.
Pavarësisht se mungoi një pjesë të konsiderueshme të sezonit për shkak të një lëndimi të bezdisshëm në gju, 27-vjeçari e mbylli edicionin 2025/26 si golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll.
Sulmuesi francez realizoi 25 gola në elitën spanjolle, duke e lënë pas Vedat Muriqin e Mallorcas me dy gola më pak. Të dy shënuan edhe në xhiron e fundit, por Mbappe kishte krijuar një avantazh që praktikisht e kishte siguruar çmimin.
Mbappe e kryesoi listën e golashënuesve me vetëm 31 paraqitje, ndërsa Muriqi (i dyti) dhe Ante Budimir i Osasunas (i treti) luajtën nga 37 ndeshje.
Kështu, ai tani numëron dy “Pichichi” në dy sezonet e tij të para te Real Madridi, ndërsa në shekullin 21 vetëm Messi dhe Ronaldo e kanë fituar këtë trofe në mënyrë të njëpasnjëshme.

Trofeu i fundit nga dikush tjetër përveç dy ikonave kishte ardhur dekada më parë, kur Hugo Sanchez e fitoi katër herë rresht nga viti 1984 deri më 1988 me fanellën e Real Madridit.
Megjithatë, përkundër statistikave dhe rekordeve personale, Mbappe ende nuk ka arritur ta udhëheqë Real Madridin drejt një trofeu madhor. Që nga ardhja e tij para sezonit 2024/25, “Los Blancos” kanë fituar vetëm Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube.
Në garat kryesore, madrilenët kanë dështuar vazhdimisht: në sezonin debutues, Real Madridi u rendit i dyti në La Liga, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Edhe në 2025/26, skenari ishte i ngjashëm – vendi i dytë në La Liga dhe Superkupë, eliminim në 1/8 në Kupën e Mbretit dhe sërish dalje në çerekfinale në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/








































