LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi i punës i FBK-së, dalin vendime të rëndësishme

Kuvendi i punës i FBK-së, dalin vendime të rëndësishme
(Foto: KP)

Sot (e shtunë) është mbajtur kuvendi i punës i Federatës së Basketbollit të Kosovës. Në këtë kuvend të pranishëm ishin numër i madh i delegatëve të klubeve të basketbollit, madje u quajt edhe si kuvendi me prezencën më të madhe të delegatëve ndonjëherë që ka organizuar FBK. Në këtë kuvend me shumicën e votave, pothuajse u votuan të gjitha pikat e rendit të ditës.

Delegatët që ishin të pranishëm në këtë kuvend, aprovuan procesverbalin nga kuvendi i kaluar i punës, votuan për raportin e punës për vitin 2019, raportin financiar dhe auditimin për vitin 2019, plani i veprimit për vitin 2020, draft buxhetin për vitin 2020, planin e marketingut për vitin 2020, ndryshime statutare si dhe themelimin e qendrës kombëtare të basketbollit, transmeton KosovaPress.


Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku bëri prezantimin e raportit të punës së kësaj Federatë për vitin 2019, duke treguar për punën që kjo Federatë ka bërë gjatë viti 2019.

“Të gjithë e dimë se vitin 2019 ka qenë shumë i ngjeshur dhe me aktivitete të shumta në FBK, ka pasur krahas aktiviteteve në nivel të garave, ku janë zhvilluar ligat e të gjitha kategorive prej grupmoshave U12 e deri tek seniorët te të dyja konkurrencat, FBK këtë vit ka pasur sfida nga më të ndryshme si në nivelin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Janë organizuar kampe dhe turne të ndryshëm në koordinim me FIBA-n, projekte për masivizim të basketbollit tek vajzat po ashtu në bashkëpunim me FIBA-n janë organizuar seminare për trajner, gjyqtarë vëzhgues, të gjitha këto në koordinim me FIBA-n”, u shpreh ajo.

Në këtë kuvend kishte edhe momente tensione, e ndër ta vlen të përmendet debati i ashpër mes delegatëve të klubit basketbollit Peja si dhe ata të Rahovecit. Kryetari i klubit pejan u shpreh se dënimet e fundit të cilat janë shqiptuar ndaj klubit të tij, pas përfundimit të FINAL 8 të Kupës së Kosovës, ku Peja arriti të triumfojë janë skandaloze dhe fajin kryesor për këtë e ka ushtruesi i detyrës së komisarit të garave, Faton Kurshumlija.

“Komisari i Federatës së Basketbollit për momentin zotëri kryetar është totalisht jo profesional. Unë kam marrë dënime prej FIBA-s, Ligës Ballkanike dhe Federatës. Dënimi i fundit i FBK-së ndaj klubit Peja për ndeshjet e kupës është njëri ndër më të mëdhenjtë që në i kemi marrë si dënim. Do të thotë na ka ndodh me AEK-un në FIBA Europe Cup shumë më keq situata, dënimet kanë qenë më të vogla, nuk e di a është kërkesë e bordit që përmes dënimeve me i nxjerr parët që me zbut obligimin andej. Në fund të fundit sharjet me nënë nuk e kanë lënë shtatzënë kërkon hiq”, u shpreh Art Gashi.

I menjëhershëm ishte reagimi nga kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu i cili u shpreh se në asnjë mënyrë nuk ka ndonjë vendim që klubet të dënohet, por sipas tij të gjithë ata që kanë qenë atë ditë në Rahovec e dimë pse ka ardhur deri tek ky dënim.

Edhe ish-kryetari i klubit të Rahovecit, Bekim Hoxha i reagoi Gashit pas këtij fjalim. Hoxha u shpreh se këto dënime për klubin e Pejës duhet të ishin edhe më të mëdha

“Sa i përket fyerjeve e dini shumë mirë, kemi biseduar para ndeshjes kam kërkuar prej të dyja ekipeve, prej dy taborëve të jemi korrekt dhe të bëhet një kupë e Kosovës qysh i takon. Realisht fyerjet kanë filluar prej juve. E dini shumë mirë kemi video, shumë gjëra mund të konstatohen shumë lehtë. E dyta, njëri prej anëtarëve të bordit ka hy në fushë, ka ndodh ajo se çka ka ndodhë, kemi video por unë nuk desha me debatuar për këtë çështje, por kush ka qenë prezent e ka pa të gjitha. Bile bile këto dënime që janë  shumë të vogla se çfarë duhet me qenë”, tha Hoxha.

Pas përfundimit të këtij kuvendi, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu u shpreh i kënaqur me mënyrën se si shkoi ky kuvend, duke marrë parasysh se të gjitha pikat e rendit ishin votuar nga shumica e delegatëve.

“Në fakt kemi pasur shumë pak mungesa në këtë kuvend. Natyrisht në FBK mund të them se gjithmonë kuvendet do të shkojnë kësisoj. Kemi pasur një kuvend më të gjatë se sa zakonisht, kemi punuar pak më shumë sepse kemi dashur që ti njoftojmë të gjithë delegatët saktësisht se çka kemi bërë gjatë viti 2019, dhe cilat janë planet për vitin 2020. Me të gjitha ato materiale, vërtetë me qindra faqe dokumente janë dërguar të gjithë delegatëve  para kuvendit. Ne kemi vendosur që edhe laboratet ti mbajmë të gjata dhe ti tregojmë në detaje se çka ka ndodh gjatë këtij vitit. Faleminderit të gjithë delegatëve që morën pjesë dhe stafit të Federatës për organizmin”, tha Fetahu.

Kuvendi i radhës në Federatën e Basketbollit të Kosovës, do të jetë kuvendi zgjedhor, ndërsa Fetahu edhe njëherë konfirmoi kandidaturën për edhe një mandat tjetër në krye të kësaj Federate.