LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi duhet të vendosë për çdo marrëveshje eventuale me Serbinë

Kuvendi duhet të vendosë për çdo marrëveshje eventuale me Serbinë

Çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin territorial të vendit duhet të kalojnë nëpërmjet Kuvendit, pasi në të kundërtën çdo rrugë tjetër bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Kështu është thënë sot në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS me temën: Dialogu Kosovë – Serbi: Rrugë e gjatë deri te marrëveshja?


Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka folur lidhur me pozitën dhe rolin kushtetues të shefit të shtetit në Kosovë krahasuar me pozitën dhe rolin e shefit të shtetit në të gjitha vendet tjera parlamentare.

Hasani ka thënë se çështjet që kanë për objekt sovranitetin nacional dhe territorial, marrëveshjet politike, borxhin e jashtëm, aleancat ushtarake, pozitën e individit në shoqëri, si dhe çështjet që lidhen me identitetin nacional dhe shtetëror janë kompetenca që nuk i takojnë shefit të shtetit por Kuvendit.

“Pika e vetme dhe e pashmangshme e referimit është Kushtetuta e Kosovës, dispozitat e së cilës nuk çojnë në asnjë organ tjetër pos në drejtim të Kuvendit si përcaktues i fatit të çdo pëllëmbe të territorit të Kosovës, përfshirë dhe çdo negocim lidhur me të. Pa një mandat të qartë nga ky organ, përmes një vendimi të veçantë ad-hoc që mandaton një grup të posaçëm negociues për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona me Serbinë nuk mund të flitet për legjitimitet negociues dhe vendimmarrës të askujt në Kosovë. Kjo sepse këtu bëhet fjalë mbi përcaktimin e orientimit të politikës së jashtme, shef i së cilës është shefi i shteti kosovar, siç është në çdo demokraci kushtetuese parlamentare, por për negocim dhe vendosje lidhur me fatin e njërit prej tri elementeve përbërëse të sovranitetit shtetëror të Kosovës, për territorin shtetëror, sovrani i të cilit nuk mund të jetë asnjë organ tjetër pos atij që ka dal nga zgjedhjet e drejtpërdrejta të votës së kosovarëve”, tha Hasani.

Kurse, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, njëherësh edhe zyrtar i PDK-së, ka thënë se është shumë e domosdoshme që Kosova të jetë e përgatitur për procesin e dialogut, të ketë një unitet shtetëror në mënyrë që ky proces të përmbyllet me interes të Kosovës.

Ai tha se Kushtetuta dhe neni 18.1 ka vendosur qartazi kufizimet sa i përket arritjes së marrëveshjeve ndërshtetërore, duke përcaktuar që disa marrëveshje hyjnë në sfondin e nenit 18.1 kërkojnë domosdoshmërisht vendimin final të Kuvendit të Kosovës.

“Në cilindo moment presidenti në negocimin e kësaj marrëveshje, në procesin e arritjes së marrëveshjes rrëshqet prej parimeve të Kushtetutës. Ai në një mënyrë del prej mandatit të vet, sepse mandati për të vendosur për kufij, mandati për të vendosur për paqe, për të vendosur pajtimin, për të vendosur anëtarësimin e Kosovës ai nuk e ka, këtë e ka Kuvendi. Nëse ai dëshiron të hyj në atë proces atëherë në atë proces padyshim që duhet ta kthejë tek Parlamenti dhe Parlamenti të këtë rast duhet të vendos një kufizim…Të drejtën ekskluzive për të marrë vendimin final për marrëveshje për paqe me Serbinë, për marrëveshje eventuale me të cilën krijohet një pajtim historik midis Kosovës dhe Serbisë e ka Kuvendi i Kosovës”, tha Bajrami.

Sipas tij, Kuvendi ka të drejtë të refuzojë cilëndo marrëveshje të nënshkruar nga presidenti, e që në këtë rast sipas tij efekti juridik do të ishte kthimi i procesit nga fillimi, raporton KP.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e partive politike në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, beson se çështjet e hapura në mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

Ai tha se është në interes që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, por sipas tij jo në dëm të Kosovës.

“Ne vlerësojmë lart rolin e BE-së dhe të ShBA-ve në këtë proces dhe ne besojmë që në këtë proces nuk duhet të hyjmë vetëm. Ne nuk mund të themi që na leni neve të arrijmë një marrëveshje dhe pastaj do të shohim se a do të pajtohemi apo jo në këtë proces. Ne jemi të interesuar që kjo çështje të përmbyllet sa më parë, por jo në dëm të Kosovës. Ne besojmë thellësisht që rendi ndërkombëtar dhe BE-ja dhe pozicioni i ShBA-ve nuk mund të ndryshojnë deri në maj të vitit të ardhshëm, kur pretendohet që gjithsesi të arrihet një marrëveshje. Pra, ka me ekzistua edhe BE-ja edhe ShBA-ja edhe pas kësaj date. Kemi nevojë të arrijmë marrëveshje, por jo çfarëdo marrëveshje dhe jo me afate kohore strikte që të punojmë drejt atyre datave e jo drejt përmbajtjes së vet marrëveshjes”, tha Hoti.

Sipas tij, marrëveshja eventuale me Serbinë duhet të prodhojë njohjen reciproke, por që ka potencuar se marrëveshja përfundimtare duhet që mos e cenoj integritetin territorial, karakterin unitar të Kosovës dhe shteti i Serbisë duhet të ofroj të dhëna për të pagjeturit

Hoti ka kërkuar që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje, pasi sipas tij kjo është mënyra e vetme për të dal nga kriza politike në vend.

Ai ka potencuar edhe njëherë qëndrimin e LDK-së se janë kundër idesë së korrigjimit të kufijve, ku sipas tij korrigjimi i kufirit do të thotë korrigjim i deklaratës së pavarësisë.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se në Kuvend ekziston një rezolutë në fuqi që e përcakton se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë, por sipas tij, në Kosovë figurat politike janë më të forta se Kushtetuta dhe sistemi shtetëror.

Ai ka thënë se edhe nëse kryeministri dëshiron t’ia kalojë mandatin presidentit për udhëheqje të dialogut, këtë sipas tij nuk mund ta bëjë duke e anashkaluar Kuvendin e Kosovës, raporton Kp.

“Edhe nëse kryeministri po ka shumë qejf me ia kalua mandatin presidentit, unë mendoj që kjo nuk mund të ndodh duke e anashkaluar institucionin më të rëndësishëm në vend, që është Parlamenti i Kosovës. Nëse kryeministri një mandat që ia ka dhënë Kuvendi donë me dorëzua si stafetë, ai nuk mundet këtë me bë me një takim me presidentin edhe veç për arsye që ndoshta kjo pastaj merr edhe kuptim të dinamikave të brendshme politike. Sepse, ne e dimë që partia prej të cilës vjen presidenti është fuqia më e madhe brenda koalicionit qeverisës. Këto po i lëmë anash si konsekuenca për koalicionin qeveritar të cilin mundet me mendua kryeministri, kjo neve nuk na intereson në këtë tryezë. Neve po na intereson veç procedura, procedura kushtetuese juridike e rregullave me të cilat jemi pajtuar. Nëse kryeministri të cilit ia ka dhënë mandatin Kuvendi krye më vete shkon dhe ia dorëzon mandatin tjetër kujt atëherë kjo është shumë problematike për vendin tonë”, tha ai.

Konjufca, ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufirit, ku ka thënë se është shumë problematike që kjo çështje është ngritur. Sipas tij, problem është se këtë temë e ka ngritur pa platformë në parlament, pa e marrë mandatin prej askujt.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, nga AAK, ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të prodhojë njohje reciproke.

Sipas tij, të gjithë janë pajtuar që të ketë një platformë dhe një ekip për dialogun me Serbinë. Ai tha se një unitet do të mund ta forconte pozicionin e Kosovës dhe si Kosovë të përfitohet më shumë në këtë dialog.

Ndërsa, sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve, ai tha se pozicionin e ka treguar qartë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

“Unë nuk e di sa mund të jetë më i qartë pozicioni i Qeverisë kur kryeministri, më saktë se kushdo tjetër e thotë prekja e kufirit çon në luftë. Unë nuk e di çka mund të jetë pozicion ose qëndrim më i qartë, jo vetëm i kryeministrit”, tha Isufi.

Në trend Lajme

Më shumë
Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Lajme
Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Drejtësi
Përfaqësuesi i Shqipërisë në KiE: Kosova ka plan të jashtëzakonshëm për të siguruar anëtarësimin në  Këshillin e Evropës

Përfaqësuesi i Shqipërisë në KiE: Kosova ka plan të jashtëzakonshëm për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Lajme
”Të lutem avokate le të del nga burgu, po du me u pajtu”, avokatja tregon se shumë gra tërhiqen nga denoncimi i dhunës

”Të lutem avokate le të del nga burgu, po du me u pajtu”, avokatja tregon se shumë gra tërhiqen nga denoncimi i dhunës

Sociale
Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Lajme
Kalo në kategori