LAJMI I FUNDIT:

Kusari-Lila: Suksesi në dialog varet nga qëndrimi dhe pozicionimi i Serbisë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila gjatë intervistës në emisionin “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka thënë se që nga fillimi i mandatit Qeverinë e kanë gjetur shumë kriza botërore që kanë pasur ndikim edhe në Kosovë.

“Pos krizave botërore, ne kemi gjetur në terren një gjendje të trashëguar shumë të rëndë. Kemi nevojë për shumë reforma”.


Ajo shton se në Kosovë ka ndryshuar kasta politike, por po përpiqen të bëjnë reforma edhe në pjesët tjera të sistemit.

“Ne kemi vendosur standard të vendimmarrjes që nuk ka qenë asnjëherë më parë në Kosovë. Standardi është që kjo Qeveri, kryeministri dhe ministrat punojnë për interesin e përgjithshëm. Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur përfitime individuale”.

Kusari-Lila mendon se punësimet në institucione të ndryshme janë bërë për shkak të vendeve vakante që kanë ekzistuar.

Formimi i komisionit hetimor për energjinë, Kusari-Lila: Nuk mund ta ndryshojmë rezultatin zgjedhor vetëm pse opozitës i duhen numrat
Lexo po ashtu Formimi i komisionit hetimor për energjinë, Kusari-Lila: Nuk mund ta ndryshojmë rezultatin zgjedhor vetëm pse opozitës i duhen numrat

“Në bazë të votuesve, i bie që çdo i dyti ka qenë anëtarë i LVV-së. Tash është e vështirë të gjenden persona që mund të mos e kenë ndonjë lidhje apo foto me LVV-në”.

E para e deputetëve të LVV-së madje mendon se aktivistët e partisë po ndjehen se kanë pengesa për t’u punësuar.

Ajo thotë se ka një tendencë të subjekteve tjera politike për të krijuar një përshtypje se të gjithë të dukemi njëjtë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

Duke folur për dialogun, Kusari-Lila nuk pret ndonjë rezultat për shkak të qëndrimeve të Vuçiqit dhe forcimit të elementëve pro-rus në Serbi.

“Dialogu është proces shumë i komplikuar për shkak të qëndrimit të Serbisë dhe pozicionimit të saj krah Rusisë. Nuk mund të ketë sukses në dialog nëse suksesin e do vetëm njëra palë, apo njëra palë dhe ndërmjetësuesi. A do të ketë apo jo sukses dialogu varet nga pozicionimi dhe qëndrimi i Serbisë. Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe rritjen e forcave nacionaliste dhe politikën e deritanishme të Serbisë, unë e shoh problematike që të arrihet një marrëveshje e suksesshme në kuptimin e arritjes së njohjes”, ka deklaruar tutje shefja e deputetëve të LVV-së./Telegrafi/