LAJMI I FUNDIT:

Kurti viziton Postën e Kosovës, zotohet për bashkëpunim dhe mbështetje

Kurti viziton Postën e Kosovës, zotohet për bashkëpunim dhe mbështetje

I shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi Postën e Kosovës, ku u prit nga Kryesuesi i Bordit të kësaj ndërmarrje publike, Fadil Bejta, Ushtruesja e Detyrës së Kryeshefes ekzekutive, Fakete Kadiu dhe stafi menaxhues i ndërmarrjes.

Në komunikatë thuhet se, gjatë bisedës u diskutuan shumë çështje me interes për zhvillimin e Postës së Kosovës, por edhe për sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet. Me theks të veçantë u diskutua për nevojën dhe planet për digjitalizimin e shërbimeve, që posta ofron dhe mbështetjen e qeverisë.


Posta e Kosovës ka gjithsej 132 zyre postare dhe në muajin maj ka shënuar bilanc pozitiv financiar, me ç ‘rast ka shënuar të hyra më të larta se sa shpenzime.

Zyra Kombëtare e Auditimit së fundmi ka vlerësuar pozitivisht pasqyrat financiare të Postës së Kosovës, duke i dhënë opinion të kualifikuar pas vlerësimeve negative, që Posta ka marrë nga po kjo Zyre në pesë vitet e fundit rresht, thuhet në komunikatë, Telegrafi.

Kryeministri Kurti përgëzoi bordin dhe menaxhmentin për këto rezultate dhe falënderoi ata dhe të gjithë punëtorët e Postës së Kosovës për shërbimet e shpejta dhe cilësore, që u ofrojnë qytetarëve të Republikë së Kosovës.

Njëkohësisht, u zotua për bashkëpunim dhe mbështetje ndaj Postës, me qëllim përmirësimin e mëtutjeshëm të këtyre shërbimeve.

Në fund të takimit, znj. Kadiu, Ushtruese e Detyrës së Kryeshefes ekzekutive, i dhuroi kryeministrit si dhuratë dy pulla postare, që kanë fituar çmime të rëndësishme ndërkombëtare; njëra vendin e katërt për nga bukuria e dizajnit, ndërkaq tjetra, e cila paraqet shenjtërimin e Nënën Terezë, është përzgjedhur si pulla postare më përmbajtjësore në botë.

Në prononcimin për media pas takimit, Kurti tha se në takim me drejtuesit e Postës “i diskutuam shumë çështje të Postës së Kosovës, dhe gjithashtu sfidat e vështirësitë që i kanë. Por, lajmi i mirë është se në muajin maj, që e lamë pas, kemi pasur bilanc pozitiv në Postën e Kosovës. Pra të hyrat janë më të larta se sa shpenzimet dhe ky natyrisht është si rezultat i punës së përbashkët të këtij kolektivi i cili ofron shërbimin universal të shtetit të Kosovës, pra Postën e Kosovës”.

“I kanë 132 zyra postare anë e mbanë Kosovës dhe përveçse nga kredia që kanë marrë në të njëjtën kohë kanë përfituar edhe nga një marrëveshje që ka Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administrimit të Pushteti Lokal, me Postën e Kosovës”.

“Unë e falënderoj znj. Kadiu dhe z. Bejtën dhe gjithë Bordin e menaxhmentin, po edhe gjithë punëtorët e Postës së Kosovës, për shërbimet e shpejta dhe cilësore që ua ofrojnë qytetarëve të Republikës, në këtë kohë të vështirë për postat anë e mbanë botës e në veçanti këtu te ne”, ka thënë ai.

“Ne zotohemi që do të bashkëpunojmë me Postën e Kosovës, dhe do t’i mbështesim në mënyrë që shërbimet e tyre të jenë edhe më të shpejta, të jenë edhe më cilësore, e me këtë rast natyrisht që do ta kisha theksuar faktin që Posta e Kosovës ndihmon në veçanti për asistencën sociale në kuadër të skemave sociale për qytetarët e Republikës së Kosovës, aq më shumë kur dihet se vitin 2022 e kemi shpallur si vit të personave me aftësi të kufizuara, ata pra të cilët më së shumti kanë nevojë për shërbimet e shtetit”, ka deklaruar kryeministri. /Telegrafi/