Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se pas një muaji do të nënshkruhet marrëveshja me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Kurti gjatë seancës plenare të Kuvendi të Kosovës i është përgjigjur deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj lidhur me këtë çështje.

“Sa për gazsjellësin edhe nëse do të bëhet ndërtimi nuk do të fillonte sivjet. Pas një muaji do të nënshkruajmë në Washington D. C. marrëveshjen me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit”, tha Kurti.

Sipas MCC-së, vlera e kësaj marrëveshje është 236.7 milionë dollarë, gjë që ka për qëllim që të forcojë sektorin e energjisë së Kosovës.

“MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës përfunduan një javë produktive të negociatave për një marrëveshje Kompakte, propozuar në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e krijuar për të forcuar sektorin e energjisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MCC-së.

Çfarë përmban Projekti Kompakt i arritur ndërmjet MCC-së amerikane dhe Qeverisë së Kosovës? Çfarë përmban Projekti Kompakt i arritur ndërmjet MCC-së amerikane dhe Qeverisë së Kosovës?

Kjo marrëveshje, së pari duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës dhe më pas të miratohet nga Bordi i MCC-së.

Kosova i nisi përpjekjet për të vendosur partneritet me MCC-në që prej vitit 2010, por procesi eci ngadalë nga performanca problematike e qeverive kosovare, pavarësisht përkrahjes së vazhdueshme nga Kongresi i SHBA-së.

Në fakt, procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së u udhëhoq deri vonë nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila në shkurt të vitit 2015 kishte themeluar Grupin Ndërinstitucional për të arritur kualifikimin e Kosovës në MCC.

Më 20 prill 2016, Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Zyrës së për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, e cila tashmë do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. /Telegrafi/