LAJMI I FUNDIT:

Çfarë përmban Projekti Kompakt i arritur ndërmjet MCC-së amerikane dhe Qeverisë së Kosovës?

Çfarë përmban Projekti Kompakt i arritur ndërmjet MCC-së amerikane dhe Qeverisë së Kosovës?

Ndërtimi i kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë elektrike dhe llogaridhënia e transparenca janë dy pikat kryesore të Marrëveshjes së Kompaktit të arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Sfidave të Mijëvjecarit (MCC).

Sipas MCC-së, vlera e kësaj marrëveshje është 236.7 milionë dollarë, gjë që ka për qëllim që të forcojë sektorin e energjisë së Kosovës.


“MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës përfunduan një javë produktive të negociatave për një marrëveshje Kompakte, propozuar në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e krijuar për të forcuar sektorin e energjisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MCC-së, shkruan Telegrafi.

Kjo marrëveshje, së pari duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës dhe më pas të miratohet nga Bordi i MCC-së.

Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli 202 milionë dollarë janë grant nga MCC-ja, ndërkaq pjesa tjetër është bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës. Ajo tha se projekti i parë parasheh ndërtimin e kapaciteteve për 340 MegaWatt në orë të akumulimit të energjisë.

“Është projekt mjaft inovativ i cili sheh drejt së ardhmes e cila do të ketë në njërën anë pavarësimin energjetik dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin tonë energjetik, pjesë në të cilën momentalisht po çalojmë, mirëpo këtë synojmë ta ndryshojmë me strategjinë e re”, ka thënë Rizvanolli, përcjell Telegrafi.

A po i rikthehet Kosova opsionit së gazsjellësit amerikan?
Lexo po ashtu A po i rikthehet Kosova opsionit së gazsjellësit amerikan?

Projekti synon që përmes baterive, energjia e prodhuar në një periudhë të caktuar kohore të akumulohet, në mënyrë që të mund të shfrytëzohet në orët e ditës, kur çmimi dhe kërkesa për energji janë më të larta.

“Që do të thotë se kjo në një masë do ta reduktojë nevojën për import, çka është shumë me rëndësi në kohët që po jetojmë, kur çmimi i importit të energjisë është rritur shumë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa, sipas kryeministrit Albin Kurti, ky është investimi më i madh në sektorin e energjisë.

“Një nder i veçantë që takova shefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright dhe nisjen e negociatave të projektit Kompakt të Kosovës. E falënderova për punën e palodhshme të MCC-së për të mundësuar projektin, që do të bëhet investimi më i madh në sektorin e energjisë dhe rikonfirmon lidhjen e ngushtë që ndajnë vendet tona”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kosova i nisi përpjekjet për të vendosur partneritet me MCC-në që prej vitit 2010, por procesi eci ngadalë nga performanca problematike e qeverive kosovare, pavarësisht përkrahjes së vazhdueshme nga Kongresi i SHBA-së.

Në fakt, procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së u udhëhoq deri vonë nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila në shkurt të vitit 2015 kishte themeluar Grupin Ndërinstitucional për të arritur kualifikimin e Kosovës në MCC.

Më 20 prill 2016, Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Zyrës së për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, e cila tashmë do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. /Telegrafi/