Frontmeni legjendar i grupit “Nirvana”, Kurt Cobain, sot (20 janar) do të festonte ditëlindjen e 50-të. Mirëpo, ai nuk jeton më, pasi në vitin 1994 bëri vetëvrasje në moshë 27 vjeçare duke iu bashkuar “Klubit 27”.

Numri i të famshmëve që kanë vdekur pikërisht në këtë moshë dhe rrethanat e çuditshme të vdekjeve të tyre të parakohshme, kanë nxitur dyshime se diçka e pazakontë po ndodh.

Telegrafi jua sjell më poshtë ikonat e muzikës që nuk arritën t’i shmangeshin “mallkimit të ‘Klubit 27’”:

Jimi Hendrix
Kitaristi legjendar amerikan ndërroi jetë në një dhomë hoteli në Londër më 18 shtator 1970. Pati spekulime se kishte bërë vetëvrasje me barna, mirëpo mjeku që ishte përpjekur ta shpëtonte ka treguar se ai kishte pirë aq shumë verë saqë i ishte mbushur lukthi dhe mushkëritë.

Janis Joplin

Ikona e rokut, Janis Joplin, vdiq vetëm 16 ditë pas Jimi Hendrixit. Trupi i pajetë i saj u gjet më 4 tetor 1970 nga menaxheri i saj në dhomën e hotelit ku qëndronte këngëtarja. Më vonë ishte konfirmuar se shkaktar i vdekjes ka qenë doza e madhe e heroinës në kombinim me një sasi të madhe alkooli.

Jim Morrison

Muzikanti amerikan, Jim Morrison, vdiq më 3 korrik 1971 në Paris. Edhe sot e kësaj dite ekzistojë teori kundërthënëse për vdekjen e frontmenit të “The Doors”. Në raportin zyrtar thuhet se shkaktar i vdekjes ishte pamjaftueshmëria e zemrës, por shumëkush beson se mbidoza me drogë shkaktoi vdekjen e këngëtarit.

Jim Morrison, shpirti i lirë i përndjekur nga demonët që nuk vdes kurrë (Foto/Video) Jim Morrison, shpirti i lirë i përndjekur nga demonët që nuk vdes kurrë (Foto/Video)

Kurt Cobain
Cobain lindi më 20 shkurt 1967 në Aberdeen të Washingtonit, Ai u bë miti dhe zëri i ‘Brezit X’ të viteve të nëntëdhjeta duke e revolucionarizuar botën e rokut para se të vetëvritej në prill të vitit 1994. Për nder të liderit të Nirvana me rastin e 50-vjetorit të tij, një model i Hangstrom Blue Sparkle Deluxe, kitarë e përdorur nga vetë Cobain, është vendosur në ankand për të mbledhur fonde për të pastrehët.

Amy Winehouse

Ylli i muzikës pop, Amy Winehouse, vdiq më 23 korrik 2011 në shtëpinë e saj në Londër. Në raportin zyrtar të policisë thuhet se këngëtarja vdiq nga helmimi akut me alkool.

/Telegrafi/