LAJMI I FUNDIT:

Kur budallallëku vërshon jashtë çantës

Kur budallallëku vërshon jashtë çantës

Fotografia e një çante “Louis Vuitton” e dizajnuar me flamurin kombëtar, deri tash ka marrë – në Facebook-un e kryeministrit – rreth 21 mijë pëlqime, 1 400 komente dhe 900 shpërndarje. Numri i pëlqimeve në Instagram është edhe më i lartë (27 225), pa përllogaritur këtu edhe bilancin e reagimeve nëpër platformat e tjera mediatike ku u pasqyrua.

Te pëlqimet – krahas anëtarëve të qeverisë që natyrisht zgjohen e ngrysen në profilin e kryeministrit – spikasin kryebashkiakë apo edhe Inspektoriati Shtetëror i Mbrojtjes së territorit, Ambasada shqiptare në Kanada, Ambasada shqiptare në Sofie, Ambasada shqiptare në Riad, konsullata e përgjithshme e nderit Finlandë …


Meqë jemi në sezonin e gripit, nuk mbesin pas me pëlqime as qendra shëndetësore Petrelë, qendra shëndetësore nr. 5 Tiranë dhe dhjetëra institucione që mesa duket kanë prioritet pëlqimet, komentet dhe shpërndarjen e postimeve të kryeministrit.

Nuk ia vlen të përmendësh këtu ushtrinë e ndjekësve falso apo patronazhisëve që dihet se gjenden “gati tu” kurdoherë pa lexuar atë çka shkruhet, por në këtë dehje servilizmi të shëmtuar duhen përmendur dy fakte për të zgjuar nga dalldia atë që dëshiron.

Çantat me flamuj të vendeve të ndryshme të botës, përfshirë dhe të Shqipërisë, u prodhuan në korrik 2018 dhe këtë vit ky dizajn feston pesëvjetorin. Fatkeqësisht, kjo strategji nuk pati suksesin që menduan mjeshtrit e shtëpisë së modës. Megjithëse për kompaninë është një produkt i vjetër, për ne është një delir i ri ku shumë as nuk e dinë as si zë fill kjo markë.

– Louis Vuitton ka ndërruar jetë më 1892, 20 vjet para se flamuri ynë të ngrihej në Vlorë.

– Më 1871, atelienë e tij dhe dyqanin në Paris ia rrafshuan revolucionarët e Komunës së Parisit.

– Më 1992, ka hapur dyqan në Kinë dhe me 2003 në Moskë.

– Dyqanin më të madh në rajon e ka në Beograd.

– Babai i Louis Vuittonit ishte mullixhi me profesion, ndërsa vetë ai ka punuar që në moshën 14 vjeçe si çirak.

– Nga banesa e tij deri në Paris ku gjeti punën e pare, iu desh të ecte 400 kilometra në këmbë (u largua nga familja se e keqtrajtonte njerka).

Por, le të kthehemi te çanta “patriotike” e cila ka çmimin 9 900 euro. Ka njerëz në Shqipëri që e pëlqejnë këtë çantë se ua mban xhepi ta blejnë; mund të ketë edhe institucione qe kanë fonde dhe nuk e shohin si problem që ta porositin.

Pyetja është se çfarë kuptimi ka që kësaj foto i bëjnë like: PS Gramsh, PS Mallakastër, PS Ndreq, PS Zejmen, PS Lushnjë, dhe PS Gjirokastër?!

Megjithëse jam i bindur që PS Gjirokastër do të tërheq pëlqimin sapo të marrë vesh çmimin.