LAJMI I FUNDIT:

Kur Ahmet Spahiu ishte 18 vjeç: Femrat i merrnim në besë, pas shfaqjes i kthenim në shtëpi

Kur Ahmet Spahiu ishte 18 vjeç: Femrat i merrnim në besë, pas shfaqjes i kthenim në shtëpi

– Shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në vitin 2000, në kuadër të rubrikës “Kur isha 18 vjeç” –

Përgatiti: Luljeta Tahiraj


Atëherë, kur unë i kisha 18 vjet gati, thuajse, të gjithë shqiptarët kishin kushte shumë të vështira, mund të them se 90 për qind të tyre kanë luftuar për ekzistencë. Ka qenë krizë shumë e madhe për bukë, në atë kohë kur unë i kisha 18 vjet. E di një rast kur ma patën rrëzuar nënën duke pritur për bukë … – Kështu flet aktori Ahmet Spahiu i cili, kur filloi të flasë për nënën e vet, i mbushen sytë me lotë dhe nuk mundi ta përfundojë fjalinë …

Unë, së pari, do të kisha shtuar diçka për veten time para moshës 18-vjeçare … Babai më ka vdekur në moshën 42-vjeçare dhe mua më ka lënë 17 vjeç, kur u detyrova ta ndërpres shkollimin për arsye të ekzistencës. Më është dashur të punoj çdo gjë, kështu që jeta ime, si 18-vjeçar, ka qenë shumë e mundimshme. Unë, të them të drejtën, për punë jam pjekur para kohe.

Në kohë të ish-Jugosllavisë, atëherë të Krajlit, pas Luftës së Parë Botërore, ka qenë shkolla me katër klasa – parashkollorja, klasa e parë, e dytë dhe e tretë. Mua, në klasën e dytë, më ka zënë Lufta e Dytë Botërore. Kam pasur një fat të madh që kam pasur të vetmin mësues shqiptar në Pejë, si dhe e kam pasur klasën krejt me shqiptarë. Ai mësues ka qenë Pavël Lumezi. Ne e kemi pasur një kusht që kush mundet brenda dy apo tre muajsh ta zotërojë shkrimin shqip, atëherë mund të kalojë në klasën e katërt.

Më kujtohet se njëherë me djalin e mësuesit tim kemi shkuar në Kishën Katolike të Pejës dhe, për herë të parë, e kam parë abetaren ahqipe aty.

Mësuesin tim e patën pushkatuar partizanët më 1945, sepse ka qenë shumë aktiv atëherë ….

Kam punuar çdo gjë …

T’i kthehem moshës 18-vjeçare. Në këtë moshë kurrë nuk kam menduar asgjë tjetër vetëm se si ta mbaj familjen time: dy vëllezërit, motrën dhe nënën.

Kam punuar si zanatli, por jam marrë edhe me tregti, si: pemëshitës, pastaj rrobaqepës, e shumë e shumë punë të tjera të rënda. Punoja vetëm sa për të mbijetuar, sepse patëm mbetur pa baba e pa shtëpi dhe më duhej që disi ta siguroja jetën … Kemi pasur edhe tokë. Më duhej të prashitja e shumë gjëra të tjera, për të cilat isha ende i ri. Kështu që e pata ndërprerë shkollën e mesme.

Pra, mosha 18-vjeçare më ka gjetur në një situatë mjaft të vështirë, por prapëseprapë ajo moshë ka qenë mosha më e mirë, sepse si 18-vjeçar e si i ri mendon etapa-etapa, si p.sh., një moment mendon për dashuri, pas një ose dy orësh mendon për shqiptarizëm, mandej për shkollim … e, në fund, mendon për të ngrënë. Unë kam qenë i tillë dhe më ka ndodhur nganjëherë që tërë ditën të mos ha bukë, duke vrapuar pas gjërave të tjera, prandaj kënaqësia më e madhe ka qenë në atë kohë, edhe pse ka pasur shumë njerëz të ndjekur, gjëra të çrregulluara, rrethana e kushte krejtësisht të tjera. Kështu që, unë si i ri, edhe pse kisha probleme, prapë kam ditur edhe të kënaqem, edhe pse, atëherë, në kohën tonë, nuk kemi pasur as radio, as TV, e lëre më kompjuter e gjëra të tjera.

Por, në atë moshë, unë u pata inkuadruar në dramë, në shoqërinë e asaj kohe ”Ramiz Sadiku”. Më vonë e formuam teatrin amator, ku pastaj më pranuan edhe si profesionist.

Ai ishte një ndër gëzimet më të mëdha që më patën pranuar në dramë, sa nuk di si ta përshkruaj këtë. Baba im ka qenë hoxhë, imam në xhami, që e ka njohur e tërë Peja, prandaj edhe për këtë shkak më patën pranuar aty.

Atëherë, gati thuajse të gjithë shqiptarët kanë pasur kushte shumë të vështira, mund të them se 90 për qind të tyre kanë luftuar për ekzistencë. Ka qenë krizë shumë e madhe për bukë, në atë kohë, kur unë kisha 18-vjet. E di një rast kur ma patën rrëzuar nënën duke pritur për bukë … Ajo, e shkreta, pat ngelur e re pa burrë dhe është dashur që vet ta bartte barrën e tërë familjes. Unë, si i ri, jam munduar që t’i ndihmoj, mirëpo prapëseprapë ndonjëherë jam larguar nga shtëpia dhe përkohësisht i kam harruar ato probleme, ndërsa ajo gjithmonë përplot me probleme.

Moshatarët e mi kanë filluar më vonë ta vazhdojnë shkollimin, pra pasi pata filluar unë, sepse askush atëherë nuk ka filluar si 18-vjeçar.

Shfaqjet e para ishin fenomenale

Më kujtohen shfaqjet e para, të cilat kanë qenë fenomenale, e sidomos shfaqja “Cubat” e Shilerit. Aty ka qenë një situatë se si kanë mundur njerëzit të kenë aq shumë durim. Shfaqja fillonte prej orës 19:00 e zgjaste deri në orën 02:00, pas mesnatës, mirëpo publiku nuk ka lëvizur fare derisa e përfundonim krejtësisht shfaqjen. Kështu që, ajo ka qenë diçka e jashtëzakonshme dhe prej asaj kohe unë pata filluar ta dua teatrin shumë. Atëherë më lindi një dashuri e veçantë për teatër sa nuk di ta them e as ta shpreh.

Në atë kohë nuk kemi pasur mundësi aq të mëdha që të bëjmë kushedi se çka, por çdo gjë ka qenë në rregull. Në një shfaqje tjetër patëm luajtur unë dhe Kristë Berisha, si dy tregtarë, që edhe ajo më ka lënë mbresa shumë të mëdha. Kemi shkuar edhe në Festivalin e Teatrove Amatore në Beograd, ku kemi fituar vendin e parë. Unë e pata luajtur një rol episodik, por me mjaft rëndësi, e mandej e kam vazhduar rolin kryesor në atë pjesë, pasi që njërin e patën transferuar nga aty dhe e zëvendësova unë.

Fitimi i vendit të parë atëherë ka qenë diçka e papërshkrueshme për ne, sepse ka qenë një luftë e madhe për fitore, pasi që vetëm nga Beogradi patën konkurruar dy teatro amatore e lëre më nga vendet e tjera.

Atëherë, në fillim, e kemi pasur një mungesë të madhe të femrave, ne që ishim në teatër, por më vonë jo. Me autoritetin tonë ne kemi arritur që t’i minimalizojmë, apo t’i asgjësojmë problemet me femra, sepse femrat ne i kemi marrë nga shtëpia, në besë, dhe gjithmonë pas shfaqjes i kemi përcjellë prapë në shtëpi. Në fakt, ne, në atë moshën më të rrezikshme, u kemi ikur atyre dashurive, por kemi qenë edhe më tepër të ngurruar dhe kemi ditur si ta fshehim apo i kemi ndrydhur në vete ndjenjat tona për dashuri.

Të gjitha teatrot, e edhe ai në Prishtinë dhe Prizren, i cili është formuar më 1946 si teatër profesionist, ka pasur mungesë të femrave, bile-bile më shumë se ne.

Shkonim edhe nëpër turne të ndryshme. Në Maqedoni kemi shkuar disa herë, por më kujtohet se njëherë patëm shkuar për të dhënë një shfaqje, të cilën më vonë e patëm adaptuar dhe titulluar ”Safete”. Me ne, atje, patën ardhur edhe disa femra. Ato i patën lejuar prindërit që të vijnë, gjë që ka qenë shumë e vështirë atëherë që femrat të shkojnë jashtë vendit. Disa nuk i lejonin as nëpër Kosovë e ta lëmë jashtë Kosove.

Simpatitë kanë ekzistuar edhe atëherë. Nuk mund të them se nuk kam pasur ndonjë simpati, ose se nuk i jam afruar ndonjë femre, e ndoshta edhe ajo ka pasur simpati ndaj meje, mirëpo, siç thashë edhe më herët, neve nuk na ka lejuar ajo kohë të bëjmë gjëra të tilla.

Në atë kolektiv unë kam qenë më i riu, përveç Shefqet Locit, i cili vdiq shumë i ri .

Preokupimi im më i madh ka qenë ndaj teatrit, duke iu falënderuar Kristë Berishës, i cili ka bërë shumë për artin. Natyrisht, ka edhe shumë të tjerë, të cilët kanë dhënë kontribut shumë të madh. Por, të gjeneratës sime, që kemi filluar së bashku, jemi gjallë ende edhe tre meshkuj e dy femra.

Zbavitja më e madhe ka qenë në teatër

Atëherë, kafiteri nuk kemi pasur, por si i ri edhe unë kam dalë, por vetëm atëherë kur kisha kohë. Unë, edhe para moshës 18-vjeçare, para vdekjes së babait, kam shkuar në ShKA dhe në teatër, paradite, pasdite, në mbrëmje, kurdo që kisha kohë, sepse për argëtim nuk kishim shumë kohë, pasi që kemi qenë të orientuar dikah tjetër.

Zbavitja më e madhe ka qenë në teatër. Atëherë edhe u punësova aty dhe u lidha me ata njerëz, me atë shoqëri, me atë rreth … Në ShKA janë dhënë një apo dy koncerte, që atëherë kanë qenë shumë të rralla. Kënaqësinë më të madhe të jetës së asaj kohe e kishim pasdite, “Ora Gazmore”, që ishte një radiostacion i vogël me disa altoparlante në qendër të qytetit, kur mblidhej popull aty rreth orës 18:00 që ta dëgjojnë atë emision gjysmëorësh.

Shoqëria ime kanë qenë më të vjetër se unë, 4-5 vjet apo edhe më shumë, mirëpo kurrë nuk më kanë lënë anash. Më kanë dashur dhe gjithmonë ishim bashkë, sikur të kisha qenë moshatar i tyre, gjë që më ka lënë mbresa të mëdha .

Festat kombëtare i kemi festuar gjithnjë. Dilnim në pikniqe të ndryshme së bashku i tërë grupi, si p.sh.: Ramiz Loxha (kushëri i Ragip Loxhës), më i vjetri Hamzë Begolli, Ragip Loxha ,Kristë Berisha, Muharrem Dina i cili edhe tani është gjallë, Viktor Gashi po ashtu gjallë, Kadrush Bala … Ka pasur edhe shumë të tjerë, mirëpo këta janë disa prej atyre, që kemi qenë të rregullt çdokund.

Kam pasur edhe një shoqëri tjetër me njerëz, që kanë punuar punë të ndryshme, ku edhe kemi kënduar së bashku këngë të ndryshme. Gjatë asaj kohe ka qenë pak a shumë njëfarë censure. Nuk ke mundur ta ngrisësh zërin e të këndosh ndonjë këngë patriotike. Por, ajo këngë që ka qenë në gjuhën shqipe ka qenë këngë e mirëfilltë shqipe, e jo sikur tani që disa nga këngët tona janë të përziera me melodinë rome, turke, arabe …

Edhe kemi kënduar …

Atë shoqëri që e patëm titulluar “Përparimi”, më kujtohet si sot, se gjatë ramazanit, për ta zbavitur tërë qytetin e Pejës e patëm pastruar një shtëpi të rrënuar tek “Mulliri i Bakraqëve” dhe patëm kënduar.

Pat ardhur edhe Qamili i Vogël për të kënduar për qytetarët e Pejës, ku patëm kaluar jashtëzakonisht mirë. E edhe qytetarët e Pejës janë ndarë mjaft të kënaqur duke na lavdëruar se kemi bërë një gjë shumë të mirë.

Atë shoqëri në fillim e patëm formuar si shoqëri futbollistike, ku kemi luajtur futboll. E patëm regjistruar në Prishtinë me pretekst që të kalojmë në një shoqëri tjetër. Aty i kishim edhe vëllezërit Bakraqi, të gjithë muzicientë dhe e patëm formuar një orkestër mjaft të mirë.

Aty vinin edhe vajza të mbështjellura me çarçaf dhe rrinin deri në kohën e syfyrit. Në atë kohë ajo ka qenë një atraksion shumë i madh. Shumë vajza u patën njoftuar aty e pastaj edhe u martuan, sa thoshin se me këtë punë e kemi fituar “xhehnetin”. Është karakteristike se edhe ata, të cilët janë mbajtur si fetarë të mëdhenj, nuk i kanë penguar vajzat, përkundrazi edhe ata kanë ardhur dhe kanë marrë pjesë aty.

Ato ditë, gjithmonë, do të mbeten të freskëta në memorien time, e sidomos kjo moshë 18-vjeçare …

Ndërsa, unë për Pejën e kam një dashuri të madhe, sepse kohën më të madhe të jetës sime e kam kaluar aty, e edhe moshën më të mirë. Tani aty i kam dy vëllezërit dhe motrën, nënën dhe babain e varrosur, shoqërinë e atëhershme. E, në Prishtinë, kur kam ardhur për herë të parë, më kujtohet se aty afër ku është tash hoteli Grand më pat mbetur takeja e këpucës në baltë, çka dua të them se Prishtina tani ka ndryshuar shumë.

Por, të rinjtë e moshës 18-vjeçare i kisha porositur që mos ta lënë anash shkollimin, sepse ende kemi nevojë për njerëz të mençur. Të rinjtë tanë duhet të jenë më shumë të angazhuar në aspektin e mësimit, profesionit dhe të mos bien nën ndikimin e prindërve e as të dikujt tjetër, por ta zgjedhin vet rrugën e tyre. Nuk është me rëndësi cilin profesion ta zgjedhin, me rëndësi është që aty ta gjejnë vetveten dhe të mos i shkelë askush, pra të jenë të shkolluar.

Mua, në moshën 18-vjeçare, në zemër gjithmonë më ka fjetur shkollimi. /Telegrafi/