KSHPK ka shqiptuar 94 gjoba për ish-kryetarë komunash, drejtorë dhe këshilltarë, për arsye të mosdeklarimit në kohë të pasurisë

Mosrespektimi i detyrimit ligjor për deklarimin në kohë të pasurisë dhe interesave u ka kushtuar dhjetëra personave të zgjedhur dhe të emëruar nga 300 euro. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit më 29 korrik ka shqiptuar gjithsej 94 gjoba, me vlerë totale prej 28.200 eurosh.
Sanksionet u referohen personave që nuk e kanë dorëzuar deklaratën për gjendjen pasurore dhe interesat brenda afatit të përcaktuar me ligj, raporton 4news.mk. Mes të dënuarve ka ish-kryetarë komunash, drejtorë të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike, këshilltarë komunalë, anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, gjyqtarë, deputetë dhe persona të tjerë të zgjedhur e të emëruar.
Në listë janë edhe ish-kryetari i Strumicës, Kostadin Kostadinov, ish-kryetari i Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkoski, si dhe ish-kryetari i Pllasnicës, Alija Jaoski.
Gjoba ka marrë edhe Vase Ristov, pas përfundimit të mandatit si drejtor i përgjithshëm i Operës dhe Baletit të Maqedonisë.
Te një pjesë e funksionarëve, shkelja e detyrimit është përsëritur në periudha të ndryshme. Kështu, Dragi Kushovski është gjobitur dy herë – një herë pas emërimit si drejtor i JSP Shkup dhe herën e dytë pas përfundimit të mandatit. Dy gjoba të ndara ka marrë edhe Nenad Josevski, lidhur me detyrën e drejtorit në detyrë të NP “Drislla”, ndërsa Darko Jangelov është sanksionuar pas emërimit si sekretar i Komunës së Vinicës dhe përsëri pas përfundimit të funksionit.
Mes të gjobiturve janë edhe Luke Galeski, pas zgjedhjes së tij si anëtar i Këshillit të Qytetit të Shkupit, si dhe Martin Stojanovski, pas zgjedhjes si deputet në Kuvend.
Në listë gjenden edhe persona të emëruar në pozita drejtuese në institucione dhe ndërmarrje publike, mes tyre Elena Pagovska Peltekovski, Katarina Mirçovska dhe funksionarë të tjerë.
Pjesa më e madhe e rasteve kanë të bëjnë me këshilltarë komunalë. Mes të gjobiturve ka këshilltarë nga disa komuna, përfshirë Kumanovën, Zhelinën, Gazi Babën, Tearcën, Dibrën, Ohërin, Strumicën, Çashkën, Gostivarin, Radovishin, Debërcën, Sopishtën, Novacin dhe Demir Kapinë.
Nga të dhënat e publikuara nga KSHPK-ja rezulton se gjobat nuk nënkuptojnë se te këta persona është zbuluar pasuri e padeklaruar apo e fshehur. Sanksionet janë shqiptuar për shkak të mosdorëzimit të deklaratës për gjendjen pasurore dhe interesat brenda afatit ligjor, qoftë pas marrjes së detyrës, qoftë pas përfundimit të saj.
Në disa raste, KSHPK-ja ka konstatuar edhe papajtueshmëri të funksioneve, përkatësisht ushtrimin e njëkohshëm të dy funksioneve për të cilat ekziston ndalim ligjor, për çka gjithashtu janë shqiptuar gjoba prej 300 eurosh.






































