Mickoski: Të drejtat e bullgarëve në Maqedoni garantohen me kushtetutë, por e njejta nuk ndodh me maqedonasit në Bullgari

„Politika bazohet në biseda. Unë jam nga ata politikanë që duan të bisedojnë derisa të arrihet zgjidhja. Edhe në rastin e parë, edhe në të dytin, ne do të vazhdojmë të bisedojmë. I dimë vijat tona të kuqe dhe brenda tyre do të përpiqemi ta gjejmë zgjidhjen“, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Ai theksoi se Kushtetuta e vendit ofron mbrojtje serioze të të drejtave për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe komunitetin bullgar.
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit bullgar Rumen Radev se do ta mbështesë zgjerimin e BE‑së, por se mbeten kërkesat për përmbushjen e obligimeve dhe mbrojtjen e bullgarëve në vend, Mickoski tha:„Kushtetuta jonë ofron mbrojtje serioze për të gjithë qytetarët e shtetit, përfshirë edhe komunitetin bullgar. Këtë nuk e them vetëm unë, por edhe Këshilli i Evropës, i cili i trajton të drejtat e njeriut dhe për këtë arsye e ndërpreu misionin e monitorimit në vend. Të drejtat e njeriut për të gjitha komunitetet dhe qytetarët janë të garantuara me Kushtetutën tonë. Por këtu hapet tema e dytë – çfarë bëjmë me komunitetin maqedonas në Bullgari, duke pasur parasysh se Bullgaria ka ratifikuar respektimin e të drejtave të njeriut, ndërsa vazhdimisht shmang regjistrimin e shoqatave të komunitetit maqedonas, si OMO Ilinden Pirin, pavarësisht dhjetëra vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.“
Mickoski shtoi se partnerët duhet të bisedojnë në mënyrë të sinqertë dhe ai është gjithmonë i gatshëm të bisedojë për këtë temë.
„Jam i gatshëm në çdo moment të ulem dhe të bisedoj, por për takim vetëm sa për takim, pa efekt, nuk jam adhurues i humbjes së kohës. Pres që përpjekjet diplomatike të afrojnë pozicionet e të dyja palëve, e nëse ka mundësi për afrim, atëherë jam i gatshëm të ulem me të.“






































