LAJMI I FUNDIT:

Hapat e ardhshëm në dialog, opozita shkon në takim te Lajçaku

Hapat e ardhshëm në dialog, opozita shkon në takim te Lajçaku

Liderët e opozitës kanë arritur te Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për t’u takuar me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në takim po marrin pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga Besnik Tahiri si dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.


Dakordim për hapat e radhës në dialog, Lajçak takon sot liderët opozitarë  
Lexo po ashtu Dakordim për hapat e radhës në dialog, Lajçak takon sot liderët opozitarë  

Para takimit me opozitën, Lajçaku është takuar me disa nga ambasadorët në Kosovë.

E të hënën emisari evropian është takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin ka thënë se kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi si vazhdimësi e takimit të fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm [në dialog]”, ka shkruar Lajçak në platformën X.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se në këtë takim është diskutua në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke”, është shprehur ai.

Emisari i BE-së erdhi për vizitë dyditore në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.

Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thanë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot./Telegrafi/