LAJMI I FUNDIT:

Krahasimi në numra i Maradonas dhe Messit tregon se pishtari tashmë ndodhet në duart e Lionel

Krahasimi në numra i Maradonas dhe Messit tregon se pishtari tashmë ndodhet në duart e Lionel
(Foto: Screenshot/Twitter)

Diego Armando Maradona me vite të tëra është konsideruar si legjenda më e madhe e Argjentinës, njëherësh gjithmonë është përmendur në vendet e para si njëri nga lojtarët më të mirë në histori të futbollit.

Mirëpo, me ngritjen e Lionel Messit dhe kalimin e viteve, gjithnjë e më shumë janë krahasuar me njëri-tjetrin dhe ishte hapur debat se cili është ylli më i madh argjentinas.


Derisa Messi kishte fituar gjithçka në karrierën e tij me klube, gjithmonë vihej në pah mungesa e trofeve me përfaqësuesen. Por, ai e arriti edhe këtë. Fillimisht, me Copa America, për ta kurorëzuar me Kupën e Botës.

The Sun ka bërë një krahasim në numra mes dy emrave më të mëdhenj të futbollit argjentinas dhe botëror, ku shihet se Messi është shumë para Maradonas. Për më shumë, ai është 35 vjeçar dhe akoma aktiv në futboll.

(Foto: Facebook/The Sun Football)

Në bazë të këtyre të dhënave, Lionel i ka fituar 39 trofe me klube dhe përfaqësuese, kundrejt 11 të Diegos. Tashmë të dy e kanë nga një Kupë Bote të fituar me Argjentinën, derisa Messi e ka fituar edhe Copa America, gjë që nuk e kishte bërë Maradona gjatë karrierës së tij.

Leo ka fituar plot 11 trofe të ligave (dhjetë me Barcelonën dhe një me Paris Saint-Germainin), kurse Maradona tri (një me Boca Juniors dhe dy me Napolin).

Messi ka në sirtar katër trofe të Ligës së Kampionëve dhe shtatë Topa të Artë, derisa Maradona nuk e ka fituar asnjëherë garën më të madhe evropiane për klube e as çmimin më të madh individual për futbollistë.

Në 1003 paraqitjet e tij (me klube dhe përfaqësuese), Messi ka shënuar 793 gola, ndërsa Maradona e kishte gjetur rrjetin 259 herë në 490 paraqitje me klube dhe përfaqësuesen. /Telegrafi/