Kosova si destinacion për investime teknologjike, këto janë rekomandimet e Uranik Begut

Në episodin më të ri të “Përballje Podcast”, drejtori i “Plug and Play Tech Center” për Evropën Juglindore, Uranik Begu, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një ekonomie të bazuar në inovacion dhe dije në Kosovë. Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve Exfis.
Begu nënvizoi potencialin e të rinjve dhe bashkëpunimin rajonal si çelës për zhvillimin e mëtejshëm. “Ky është një sfidë, por edhe një mundësi – për të rinjtë dhe të rejat, por edhe për ata që jetojnë jashtë vendit e duan të kontribuojnë me dijen e tyre. Ne duhet t’ju krijojmë hapësira dhe kushte për ta bërë këtë,” tha ai.
Ai shtoi se Kosova duhet të investojë në infrastrukturë, në dijeni dhe të mbështesë bizneset, jo vetëm përmes granteve, por edhe përmes politikave që lehtësojnë investimet private, stimujve tatimorë dhe krijimit të një mjedisi tërheqës për kompani të mëdha teknologjike.
- YouTube www.youtube.com
“Kosova duhet të krijojë një ambient ku kompani si Google apo Plug and Play e shohin vendin si destinacion me potencial për investim, jo vetëm për tregun lokal, por edhe për rajonin,” shtoi ai.
Begu gjithashtu vuri në dukje se pozicionimi i Kosovës kah blloku perëndimor dhe kompanitë amerikane të teknologjisë është një avantazh strategjik që duhet shfrytëzuar me vizion afatgjatë.
“Bota është e ndarë, e fragmentuar. Fatmirësisht, ne jemi pozicionuar kah pjesa e kompanive të mëdha amerikane si Google dhe të tjerë – dhe kjo duhet të shërbejë si bazë për ndërtimin e një ekonomie inovative në Kosovë,” përfundoi ai./Telegrafi./




















































